Marantas karikon ekipin, zbardhen udhëzimet para Flamurtarit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 19, 2019 | 11:18

Marantas karikon ekipin, zbardhen udhëzimet para Flamurtarit

Përballja me Flamurtarin, rivalin direkt në luftën për mbijetesë, prej ditësh ka marrë vlerësimin maksimal te Luftëtari, me objektiv të vetëm, marrjen e trepikëshit. Për gjirokastritët s’ka kohë për të humbur, ndaj nga e diela në terrenin sportiv “Fusha e Vjetër” ekipi nën drejtimin e dyshes Marantas-Novi ka nisur fazën intensive për transfertën vlonjate.

jorgos marantas

Luftëtari në përballjen me Flamurtarin do ketë të gatshëm kapitenin Donald Rrapo, që rikthehet pas pezullimit të ardhur nga plotësimi i numrit katër të kartonëve të verdhë, si dhe kthehen edhe të rinjtë e angazhuar me ekipet kombëtare të moshave, Oshafi dhe Isufi, të cilët nga e diela janë vënë nën urdhrat e stafit teknik. Me idenë dhe objektivin e qartë për të përballuar një sfidë më shumë se të vështirë me Flamurtarin, stafi i trajnerëve të Luftëtarit seancën e djeshme stërvitore e nisi me program të detajuar.

Përgatitjet me karakter atletik vijuan me ushtrimet speciale fizike, për të mbyllur seancën me zhvillimin e një minindeshjeje brenda grupit. Loja individuale me top, pasimet e ndërsjella mes njëri-tjetrit nuk morën më shumë se 10-15 minuta në harkun kohor të seancës së djeshme. Për t’i dhënë më shumë ritëm karakterit, grintës dhe “patosit” në perfeksion të ideve të tij, trajneri Jorgo Marantas bashkë me zv.trajnerin Nertian Novi u përqendruan në lojën mbrojtëse, pasimin e shpejtë shoqëruar me befasinë e kundërsulmit.

“Mbroni kundërshtarin në momentin që mendoni se jeni duke bërë mirë! Mos krijoni hapësira në mesfushë për të mos i dhënë mundësi kundërshtarit për t’u organizuar! Dubloni njëri-tjetrin, atëherë kur duhet dhe tregohuni profesionistë, se cilësitë s’ju mungojnë!” Këto ishin disa nga udhëzimet e trajnerit Marantas të dhëna për lojtarët në seancën e djeshme stërvitore, të cilat “Panorama Sport” i pasqyroi më lart. Katër pikë është diferenca mes Luftëtarit dhe Flamurtarit, çka do të thotë se përballja mes dy ekipeve pritet të jetë shumë e luftuar.

Tomor Shehu – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"