Marantas bën “detektivin”, mbledhje për jetën e natës te Luftëtari

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 17, 2019 | 13:41

Marantas bën “detektivin”, mbledhje për jetën e natës te Luftëtari

E mërkura ka qenë një ditë jo fort e zakontë për Luftëtarin. Që pa gdhirë lojtarët janë thërritur në një mbledhje urgjente prej Jorgos Marantas.

mARANTAS JORGOS

Gazeta “Panorama Sport” mëson se trajneri ka konstatuar se disa futbollistë nuk kanë qenë fort korrektë me regjimin, madje kishte të dhëna edhe me abuzimin me orët e vona. Për këtë motiv greku e ka parë të udhës që të “shkundë” lojtarët dhe t’ua bëjë të qartë se disiplina për të është parësore.

“S’dua të ndalem në emra të veçantë, për t’u thënë se cilët janë ata që nuk kanë respektuar regjimin. Di vetëm të them se pres disiplinë nga ju. Duke nisur nga orari i stërvitjes, koha e të ushqyerit dhe jeta e natës. Nëse konstatoj nga tani e në vijim se ka lojtarë që nuk ushqehen në grup dhe frekuentojnë jetën e natës, atëherë askush s’ka të drejtë të kërkojë më shumë nga vetja. Me futbollin keni lidhur jetën dhe të gjithë duhet të jeni korrektë. Asnjë prej jush s’e ka vendin e sigurt në formacion për aq kohë sa nuk tregoni impenjim në fushë dhe jashtë saj”, me këto fjalë u është drejtuar të tijve numri një i stolit.

Luftetari

Pas mbledhjes ekipi u shpërnda, për t’u grumbulluar sërish në orën 14:00. Këtë herë për të vijuar përgatitjet. Pati zëra se skuadra kishte vendosur ta bojkotonte këtë seancë, por e kundërta ngjau. Gjirokastritët zbritën në fushë për t’u stërvitur ashtu si çdo ditë, por me mungesën e zakonshme të portierit Panajotis Paiteris që është i dëmtuar. As mbrojtësi Aurelo Demo nuk ishte pjesë e procesit stërvitor, për arsye shëndetësore dhe me shumë gjasa do ta humbasë javën e 8-të.

halilaj tavo

HALILAJ

Presidenti Bekim Halilaj pasi ka mësuar nga rrjetet sociale se Luftëtari do të braktiste stërvitjen për shkak të vonesës së rrogave, për “Panorama Sport” ka zbuluar të vërtetën për këtë çështje. “Të gjithë duke filluar nga lojtarët, personeli, stafi mjekësor e të tjerë, le t’i drejtohen bankomatit për të tërhequr rrogën e muajit shtator”. Të njëjtin variant e ka konfirmuar për gazetën edhe kapiteni Donald Rrapo, i cili tha: “Është e vërtetë që në llogarinë tonë është kaluar rroga mujore e muajit shtator dhe ky fakt na motivon më shumë për të dhënë më të mirën në ndeshjen me Bylisin”.

Tomor Shehu

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"