Maradona tërbon Ikardin: Luan tek Argjentina se Vanda u telefonon trajnerëve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 1, 2017 | 22:06

Maradona tërbon Ikardin: Luan tek Argjentina se Vanda u telefonon trajnerëve

Diego Armando Maradona festoi ditëlindjen e 57-të më 30 tetor. Dhe në një intervistë për “Clarin”, si zakonisht, ka menduar të krijojë jo pak polemika. Duke prekur çështje të ndryshme, por “shënjestra” e tij e preferuar mbetet Mauro Ikardi.

Tek Interi nuk do jenë të gëzuar për komentet e “El Pibe de Oro”: starti fantastik i sezonit të zikaltërve mban pikërisht firmën e bomberit argjentinas, protagonist në thuajse çdo ndeshje: ende jo vendimtar për përfaqësuesen e tij (për të mos harruar se është grumbullimi i parë pas thirrjes së parë në vitin 2013, vetëm 4 paraqitje me fanellën bardhekaltër), por e kundërta mund të thuhet për atë që po jep për ngjyrat e Interit. 11 gola këtë sezon, njëri më i rëndësishëm se tjetri (për “kornizë” tripleta në derbi), në po aq ndeshje: gjysmën (thuajse) të golave për zikaltrit (23 në total nga Perisiç me shokë) për ta ngritur sërish në majat e klasifikimit të Serisë A. Dhe jo në pak raste Krespo (35 gola në 64 paraqitje për Argjentinën) e ka parë si pasardhës te “Seleccion”

maradona ikardi

KA PËR TË GJITHË – “Nuk më pëlqen kush shet tym. Nuk harroj që kur isha në Kroaci dhe më telefonoi Sampaoli për të krijuar një projekt së bashku te Sevilja. Me ta thirrur për të drejtuar Argjentinën nuk kujtohet as sesi quhem. Dhe me njerëzit falsë, mediokër dhe që e kujton veten më lart nga se është, nuk do punoj kurrë. Nuk shkoj dakord me të, as me Tapian, që një gjë më premtoi e ndryshe po bën. Jam më argjentinas në shpirt se të gjithë dhe nuk kam ndër mend t’i dal kundër vendit tim. Më ka kërcënuar me jetë më shumë se një person. Nuk kam frikë”.

ikardi vanda nara

KUNDËR IKARDIT – Maradona në vijim rikthehet në frontin Ikardi, të cilin ai nuk e duron që nga koha e “trekëndëshit romantik” me Vanda Narën (më pas bashkëshorte e Mauros) dhe Maksi Lopezit. “Grumbullimi për ndeshjen ndaj Ekuadorit? Thirrën një Ikardi të dëmtuar, pavarësisht se kishin Higuainin që ka shënuar gjithmonë. Nuk luajti, vërtet. Por ishte aty. Nuk mund të lihet jashtë liste Aguero dhe të grumbullohet një ‘Pata de lana’ (dikush që i “vjedh” gruan shokut). Ai me bashkëshorten kërkon të hyjë në botën e futbollit dhe të bëhet përfaqësuesja e tij. Ai që luan futboll me fëmijët e Maksi Lopez… Unë e di mirë historinë: Vanda telefonoi Bauzën tri herë, telefonoi Martinon katër herë (të dy ish-trajnerë të Argjentinës)… Ma kanë rrëfyer vetë teknikët dhe asistentët e tyre. E nuk e di se sa herë Vanda Nara ka telefonuar Sampaolin. Është e gjitha një idiotësi, sepse është edhe një ‘lojtar’, ‘president’ dhe ‘sipërmarrës’ që quhet Huan Sebastian Veron, i cili ka kryer grumbullimet e para të Sampaolit”.

LEDIO NASE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"