Maqedonia çon Shqipërinë në stadiumin “racist”, UEFA inspekton kushtet e impiantit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 19, 2017 | 11:43

Maqedonia çon Shqipërinë në stadiumin “racist”, UEFA inspekton kushtet e impiantit

Maqedonia është duke u përgatitur që ndeshja e radhës kualifikuese mes saj dhe Shqipërisë të zhvillohet në një stadium shumë larg zonës së populluar nga shqiptarë. Dje, një përfaqësi e UEFA-s, me kërkesë të Federatës Maqedonase të Futbollit ka inspektuar kushtet në stadiumin “Mlladost” në Strumicë.

stadiumi strumice

IMPIANTI

Federata Maqedonase, jo vetëm që kërkon ta dërgojë ndeshjen në një impiant shumë të vogël në krahasim me “Filipin e Dytë” në Shkup, por edhe po mendon zhvillimin e përballjes me kuqezinjtë në një impiant ku koret raciste antishqiptare janë shumë të freskëta. Pak ditë më parë, në finalen e Kupës së Maqedonisë, në këtë stadium janë dëgjuar kore raciste antishqiptare, mirëpo kjo nuk ka bërë aspak Federatën e Maqedonisë që të mendojë për të pritur kuqezinjtë në stadiumin kombëtar.

INSPEKTIMI

Dje, përfaqësuesi për sigurinë i UEFA-s, Zhelko Pavlica, ka inspektuar kushtet e stadiumit “Mlladost”, në Strumicë. Ai ka qenë i shoqëruar nga Komisari i Sigurisë në Federatën e Futbollit të Maqedonisë, Robert Markoviç, si dhe nga Tieri Favre, një përfaqësues i UEFA-s, i cili është përgjegjës për organizimin e ndeshjeve nga UEFA.

Me këtë lëvizje, federata maqedonase ka marrë këshilla dhe disa detyra për të realizuar në këtë impiant dhe duket qartësisht që është duke punuar për të marrë dakordësinë e UEFA-s që përballja mes Maqedonisë dhe Shqipërisë më 5 shtator të luhet në këtë impiant të vogël.

E gjithë kjo, për faktin se është në pozitë gjeografike të largët me zonat ku janë të vendosur shqiptarët, si dhe për faktin e thjeshtë që është një impiant i vogël për nga kapaciteti (6500) që e bën shumë minimal përfaqësinë e skuadrës mike, në rast se do të vendoset që të ketë tifozëve shqiptarë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"