Manjak kafeje dhe jonudist. Sekretet e Kostiç, blerjes së re të Juves që tifozët e shitën në E-Bay

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 11, 2022 | 11:49

Manjak kafeje dhe jonudist. Sekretet e Kostiç, blerjes së re të Juves që tifozët e shitën në E-Bay

Ai është blerja më e fundit e Juves. Kalimi nën urdhrat e Alegrit është çështje orësh, teksa tifozët e rinj kanë nevojë ta njohin edhe më mirë. Mëngjarash klasik, 184 centimetra dhe 82 kilogramë e bëjnë Filip Kostiçin një tren në korsinë përkatëse. E të mendosh që idhull ka pasur gjithmonë Mikael Balakun.

kostic

Gjatë tetë viteve në kampionatin gjerman, ka mësuar shumë. Fiziku është pika e dobët dhe përkujdeset si manjak falë edhe ndihmës së përgatitësit Andreja Milutinoviç, që ndër të tjerë, ndjek edhe Dushan Vlahoviçin. Juve – Fiorentina do të jetë një sfidë e ndezur për nga historia, teksa Kostiç do të ketë përballë mikun e një jete, Luka Joviçin. Shokë kombëtareje, por edhe të një jete. Për blerjen më të re të Juves, plot 48 prezenca me Serbinë dhe tre gola. Ai ka luajtur në të gjitha grupmoshat, teksa goli që kujton me më tepër mall është ai për kualifikimin në Europianin e 15-vjeçarëve. Ky është vetëm në prezantim, teksa ka sekrete të tjera për serbin që ndoshta jo të gjithë i dinë.

SI JUVJA DHE BAXHO – Filip Kostiç ka lindur më 1 nëntor 1992, teksa e njëjta datë, por në vit tjetër, përkon me lindjen e Juves. Në ditën që ai lindi, Juvja asfaltonte Ankonën 5-1. Dopietë e Baxhos, i cili që nga ajo ditë nisi të luajë në një pozicion më të avancuar krah Luka Vialit. Sikur të mos mjaftonin këto rastësi, pak kilometra larg vendlindjes së tij, Kragujevac, ndodhet një fabrikë e “FIAT”-it ku prodhohet modeli “500” aq i eksportuar nëpër botë.

E SHITËN NË ‘EBAY’ – Në korrik të vitit 2016, Shtutgarti po përjetonte një verë duke u përgatitur për Bundeligën 2. Në grumbullim Kostiç nuk paraqitet, veprim të cilin do ta përsërisë edhe kur të jetë në radhët e Hamburgut. Veprimin e tij nuk e kapërdijnë dot tifozët e Shtutgartit që për hakmarrje e nxjerrin në shitje në “EBay”.Për 20 milionë euro shitet Filip Kostiç. I përdorur, por në gjendje të mirë. Pak ditë më pas serbi përfundon te Hamburgu për 14 milionë euro. Pa pengje për të e aq më pak për klubin. Ndoshta disi për tifozët që kërkonin 6 milionë euro më tepër.

kostic ebay

LIDHJA ME ITALIANËT – Me sa duket Italia ka qenë gjithmonë në fatin e Kostiçit. Pikërisht në verën e Shtutgartit, ishte Interi që e monitoronte. Në 2018 u përpoq ta blinte Fiorentina, teksa edhe në vitin e kaluar ishte përsëri pranë zikaltërve. Po vjet, menaxheri Ramadani po mundohej ta çonte te Roma dhe akordi u arrit. Ose pothuajse u arrit, sepse në valle futet Lacio që duket sikur i lë të gjithë me gisht në gojë. Por Frankfurti, duke mos dashur ta humbasë, u jep bardhekaltërve një adresë emaili false dhe bisedimet dështojnë. Serbi ndryshon menaxher dhe në janar për pak sa nuk iu bashkua Fiorentinës. Verë 2022: 29-vjeçari zbarkon te Juvja dhe Italia më në fund shfaqet në rrugëtimin e tij.

MAGJISTAR ASISTESH – Kostiç ka tek e majta armën më të fortë. Me Shtutgartin realizoi 13 asiste në dy vjet, teksa te Hamburgu nëntë në dy sezone. Me Frankfurtin erdhi rritja e madhe e asistet u bënë 64 në 4 sezone. Me 86 asiste në CV, ai është krosuesi më i mirë i dekadës në Gjermani. Në vitin e kaluar shënoi 4 gola dhe dha 9 asiste vetëm në Bundesligë, teksa asistet ishin 12 në Ligën e Europës. Me dy gola të serbi kundër Barcelonës në çerekfinale, Frankfurti nisi të besojë te trofeu që do të festonte në fund të majit.

sdfsdfsdfsdf

KAFEDASHËS – Para disa kohësh bleu një makinetë për kafe. Nga shtëpia e çoi në dhomat e zhveshjes së Frankfurtit nga ku nuk doli më. Kafe për të gjithë, por askush nuk mund ta prekë. 29-vjeçari është xheloz i madh sepse e konsideron objektin në fjalë një hajmali. Për shkak të këtij zakoni, skuadra nisi të quhej “Banda e Ekspresit”.

KURRË NUDO – Filip Kostiç nuk e zgjodhi rastësisht Italinë. Moda është një nga pasionet e tij dhe shpeshherë ai bën modelin për kompani të ndryshme. I fiksuar pas pamjes së jashtme, nuk resht së postuar imazhe të trupit nëpër rrjete sociale. Përpara disa kohësh ka marrë një ofertë nga një revistë holandeze, por e refuzoi. I kërkohej të dilte nudo, por Kostiç nuk pranoi. Më mirë të merret me golin, një tjetër pasion i tij.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"