Mane do të bëhej fermer, në moshën 15-vjeçare u arratis nga shtëpia. Ja shtatë sekretet e sulmuesit më të ri te Bajerni

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 22, 2022 | 19:21

Mane do të bëhej fermer, në moshën 15-vjeçare u arratis nga shtëpia. Ja shtatë sekretet e sulmuesit më të ri te Bajerni

Sadio Mane është gati të nisë aventurën e tij të re në karrierë, në një klub tjetër pas Liverpulit që mund t’i garantojë shumë trofe si Bajerni i Mynihut. Përpara debutimit të tij në “Allianz Arena”, tifozët e Bajernit duhet të dinë edhe disa nga sekretet e jetës së 30-vjeçarit jashtë fushës së blertë. Ai është profili i futbollistit ideal për një klub si kampionët e Gjermanisë, të cilët disiplinën dhe angazhimin social kanë parësor pas asaj që ndodh në fushë.

mane

FAMILJA KUNDËR – Sadio lindi më 10 prill 1992 në fshatin Bambali dhe ishte pjesë e një familjeje të madhe prej 18 personash. “Jeta ishte e vështirë”, tregon Mane në dokumentarin e jetës së tij quajtur “Prodhuar në Senegal”. “Ti mund të bëheshe vetëm fermer, nuk ka profesione të tjera këtu”. Familja e tij myslimane ishte kundër ëndrrës së tij për t’u bërë futbollist. “Babai i tij ishte një imam, çka do të thotë se ti duhet të ishe një model i mirë në sjellje. Ti nuk mund të luash futboll, por duhet të vazhdosh shkollën dhe të bëhesh i suksesshëm”, tregon shoku i tij i fëmijërisë, Luk Xhibun. Por ky nuk ishte një opsion për Manenë.

DJALOSHI REBEL – Një ditë ai paketoi gjërat e tij dhe u përpoq të provonte fatin duke shkuar në kryeqytetin e Senegalit, Dakar. “Nuk i thashë askujt përveç shokut tim të ngushtë. Familja provoi të më telefononte kudo, i bënte presion shokut të ngushtë. Në një pikë ai u dorëzua. Familja më ktheu mbrapsht dhe unë isha i zemëruar me të gjithë”. Ai përfundoi shkollën përpara se të bindte prindërit që ta linin të ndiqte ëndrrën e tij. U pikas nga shoqata e futbollit “Generation Foot” në Senegal dhe në vitin 2011 firmosi me klubin francez të Metzit. Në 2012 u transferua te Salcburg, në Austri. Dy vite më vonë erdhi transferimi në Premier Ligë te Sauthemptoni dhe në 2016 Liverpuli pagoi 41.2 milionë euro për ta sjellë në “Anfield Road”.

IDHUJT – Mane është rritur i frymëzuar në veçanti nga Ronaldinjo, të cilin e shihte të luante te Barcelona. “Doja gjithnjë të bëhesha si ai”. Por ai ndoqi me shumë interes edhe bashkatdhetarin e tij El Haxhi Diuf në Botërorin e 2002-shit.

KUZHINIERI – Gatimi nuk është pika e tij më e fortë. “Unë di të bëj vetëm qull vetë”, tregon me humor. Por kur ai u transferua te Liverpuli, Mona Nemer, shefja nutricioniste gjermane që solli trajneri Jyrgen Klop, i gjeti një shef kuzhine sulmuesit. “Emri i tij është Damien dhe ai është me origjinë polake, por ka jetuar në Britani me familjen e tij prej shumë vitesh”, tregon Mane. “Ai është një djalë shumë i mirë. Nuk do ta ndërroj kurrë shefin tim të kuzhinës”. Mane nuk ka një ushqim të preferuar. “I vetmi rregull që kam në tavolinë është që duhet të ushqehem gjithnjë shëndetshëm”, nënvizon profesionisti model.

DISIPLINË E HEKURT – Manesë i pëlqen që të zgjohet herët në mëngjes. Bën një dush dhe pastaj falet. “Jam gjithashtu një njeri që fle shpejt, zakonisht rreth orës 23:00”. Një gjë shumë e rëndësishme në rutinën e tij ditore është komunikimi me familjen: “Një gjë që e bëj çdo ditë është flas me nënën, xhaxhanë dhe motrat e mia. Ata jetojnë në Senegal kështu që unë i telefonoj gjithnjë”.

ARGËTIMI – Futbollistët janë të apasionuar pas lojërave elektronike të “Play Station”, por ky nuk është rasti për Manenë. Ai preferon më shumë lojërat fizike, shah, tavëll, ndërsa kohën e lirë e kalon duke parë edhe ndonjë serial, përfshirë “Game of Thrones”.

BAMIRËSIA – I cilësuar gjithnjë si një lojtar model dhe me këmbë në tokë, në Gjermani do ta vlerësojnë shumë karakterin e 30- vjeçarit këto tri vite. Në vitin 2019, Mane dhuroi 300 mijë euro për të ndërtuar një shkollë në fshatin e tij të lindjes, Bambali. Në vitin 2021 ai dhuroi 600 mijë euro për ndërtimin e një spitali atje. “Më kujtohet që motra ime lindi gjithashtu në ambientet e shtëpisë, sepse nuk kishte një maternitet në fshatin tonë. Unë doja të ndërtoja një spital për t’u dhënë njerëzve shpresë”, shpjegon kampioni.

LEXO EDHE: ZYRTARE/ Afrimi që pritej me padurim nga tifozët, Bajerni njofton goditjen e madhe të merkatos

Përgatiti: ANDROKLI DRALO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"