Mançini: Ishte “vetëvrasje”, Melo bëri një idiotësi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 21, 2015 | 10:32

Mançini: Ishte “vetëvrasje”, Melo bëri një idiotësi

manciniGjithçka erdhi nga gabimet tona. Jam shumë i zhgënjyer, pasi ishte një vetëvrasje”. Me këto fjalë, trajneri i Interit, Roberto Mançini, ka analizuar humbjen e djeshme përballë Lacios. Në analizën e tij, italiani ishte i drejtpërdrejtë, teksa vuri në pah deficitet e ekipit: “Ndodh që të mos fitosh kur luan keq, mirëpo nuk mund të humbasësh duke bërë idiotësira dhe t’ia dhurosh fitoren kundërshtarit. Skuadra s’më ka pëlqyer që kur doli në nxehmje.

Është e pafalshme që të humbasësh përqendrimin në ndeshjen e fundit të vitit”, ishte komenti i acaruar i Mançinit. Më tej, trajneri i Interit tha: “A do t’i përsërisja zgjedhjet e formacionit? Po, nuk kam asnjë peng. Mendoja se, duke luajtur me dy lojtarë në krah, ekipi do të ishte më dinamik. Në pjesën e dytë, Lacio nuk bëri asgjë në fushë, por ia dhuruam penalltinë në fund, duke i shkatërruar vetes festën e Krishtlindjeve. Kjo humbje më trishton.

Felipe Melo? Bëri një gafë që na kushtoi ndeshjen. Mirëpo mund të ndodhë, pasi deri më tani është sjellë gjithmonë shumë mirë. Gabimi te 11-metërshi është i pakomentueshëm, për të nuk mund të flasë askush”. I pyetur se kush është favorite për ta fituar titullin në Itali, Mançini tha: “Mendoj se do të luftojmë deri në fund me Juventusin, Romën, Napolin dhe Fiorentinën. Nga humbja e sotme (dje) duhet të marrim mësim dhe të tilla gabime të mos përsëriten në të ardhmen.

Brozoviç? Nëse luajmë me dy lojtarë krahu dhe dy sulmues në fushë, ekipi humbet ekuilibrin. Brozoviç ” është një futbollist me karakteristika ofensive, ndryshe nga Guarin”. Në fund të fjalës së tij, Mançini iu rikthye edhe një herë analizës së ndeshjes: “E kisha thënë qysh në fillim se do të ishte e vështirë, pasi Lacio ka në përbërje një organikë shumë cilësore. Nuk më pëlqeu përqendrimi i pakët që kishte skuadra në fushë dhe kjo ndikoi në rendimentin tonë”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"