Mançini: Beloti titullar, pres fitore nga ekipi në Bosnjë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 15, 2019 | 17:50

Mançini: Beloti titullar, pres fitore nga ekipi në Bosnjë

Beloti është sulmuesi titullar, të paktën për mbrëmjen e sotme. Dhe Zaniolo është një mesfushor, më shumë sesa një sulmues krahu. 

roberto mancini

Me dy fraza, kjo është konferenca për shtyp e Roberto Mançinit, e para me Vialin që e shikon si shef delegacioni. Tekniku i Italisë thotë se formacionin e ka vendosur dhe niset nga dy dyshime: “Një për mbrojtësin e djathtë dhe një për mesfushën. Vendosim nesër (sot)”.

Siguritë duhet të jenë Donaruma në portë, Bonuçi, Açerbi dhe Emerson në mbrojtje, Zhorzhinjo dhe Barela në qendër. Dyshimi për krahun e mbrojtjes është mes Florencit dhe Di Lorencos, me Icon që ka pak shanse, ndërsa një fanellë titullari do të diskutohet mes Zaniolos dhe Tonalit. Në sulm, qendërsulmuesi zyrtarizohet. Një gazetar e pyet nëse Imobile është favorit dhe Manço i përgjigjet i vendosur: “Jo, ka mundësi që të luajë Beloti”.

ZANIOLO DHE BERNA – Për Zaniolon, i cili te Roma luan në ekstremin e sulmit, diskutimi është më i gjerë dhe bëhet akoma më interesant: “Unë mendoj se Zaniolo është një mesfushor. E qartë që tani luan në një rol pak më të ndryshëm dhe ky është dyshimi që kemi për ndeshjen me Bosnjën. Për të luajtur atje duhet të mbajë pozicionin e tij, të luajë në mënyrë të ndryshme që kur luan si sulmues krahu. Neve na shërben në një tjetër rol nga ai që bën te Roma”.

Ndaj pyetjes për vërshëllimat ndaj Bernardeskit, një tjetër sulmues krahu, Mançini ndoshta zbulon diçka më shumë: “Lojtarët marrin duartrokitje dhe vërshëllima por gjithçka mbetet në fushë. Në kombëtare paraqitjet e tij kanë qenë gjithnjë pozitive dhe besoj se e tillë do të jetë edhe me Bosnjën. Nuk shoh probleme të mëdha”.

KOKË GRUPI – BosnjëItali për të kaltrit ka pak rëndësi, por nuk është kështu për trajnerin: “Na intereson të fitojmë për ta mbyllur çështjen e kokave të grupit për shortin e Europianit. Ndeshja e vajtjes ishte më e vështirë. Kemi përballë një skuadër me lojtarë të zotë teknikisht, të fortë fizikisht dhe shpejtësi. Bosnja si lojtarë i ka më të mirë se Finlanda, por nuk u kualifikua sepse ndonjëherë luajnë me 50%, ndërkohë që me ne do të japin 200%. Është një test i mirë edhe për ndonjë të ri”. Kur një gazetar boshnjak i thotë se në Zenica nuk fiton askush dhe nuk do të fitojë as Italia, Mançini i përgjigjet me nota krenarie: “Do të jetë një ndeshje e bukur. Për të na mundur duhet të luajnë mirë”.

Përgatiti: ANDROKLI DRALO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"