Mançesteri kërkon të blindojë Murinjon, gati rinovimi 72 milionë euro

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 13, 2017 | 20:21

Mançesteri kërkon të blindojë Murinjon, gati rinovimi 72 milionë euro

Mançester Junajtid kërkon të blindojë Zhoze Murinjon me një kontratë të re 5-vjeçare (deri në 2022) prej 65 milionë paundësh (72 milionë eurosh) dhe “The Sun” raporton se trajneri portugez është gati që të firmosë, duke vulosur aventurën e tij më të gjatë në stolin e një klubi.

murinjo

“Djajtë e kuq” po shkëlqejnë me portugezin në stol, në sezonin e dytë të tij në “Old Trafford”. 54-vjeçari është trajneri më i paguar në botë së bashku me kolegun e tij të Mançester Sitit, Pep Guardiola (secili paguhet me 250 mijë sterlina në javë). Kjo rrogë bazë do të vazhdojë të jetë e njëjtë edhe në kontratën e re të Mout, por atij do t’i ofrohet një paketë me shifra të përmirësuara financiare bonusesh për trofetë dhe pozicionin e skuadrës në renditjen e Premier Ligës, duke e lënë pas rivalin e tij.

“The Sun” raporton se detajet e fundit të marrëveshjes nuk janë përcaktuar ende. Murinjo firmosi një kontratë 3-vjeçare, në stolin e Junajtid, në verën e 2016-ës. Pavarësisht se bordi i Junajtid ishte bindur se në stol kishin njeriun e duhur, të dyja palët ishin të lumtura me kohëzgjatjen aktuale të kontratës.

Por shefat e klubit janë befasuar nga mënyra sesi e ka kthyer situatën Murinjo në harkun e një viti e gjysmë, duke fituar edhe dy trofe që në sezonin e tij të parë (Kupën e Ligës dhe Ligën e Europës). Aktualisht, Junajtid renditet në krye të klasifikimit së bashku me rivalët e qytetit.

Murinjo nuk është vetëm i vendosur për të rikthyer titullin në “Old Trafford” (mungon prej tërheqjes së Aleks Fergusonit në vitin 2013), por po punon ta rikthejë klubin edhe në elitën e Europës. Pronarët e familjes Glezjër e kanë bërë të qartë se duan ta rikthejnë Junajtid në nivelin që i takon. Zhoze gëzon edhe mbështetjen e plotë të administratorit të deleguar në detyrë, Eduard Uduard, i cili dy paraardhësve të portugezit, Mojes dhe Van Gal, iu desh t’u firmoste shkarkimin.

ANDROKLI DRALO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"