Mancaku: Finalet për Teutën fillojnë tani

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 18, 2013 | 13:08

Mancaku: Finalet për Teutën fillojnë tani

mancakuDurrsakët kanë marrë maksimumin nga dy ndeshjet e luajtura në shtëpi, si ndaj Shkumbinit ashtu edhe kundër Luftëtarit, ndërsa tashmë fillon malorja për të besuarit e Gugash Maganit. Pas dy ndeshjeve relativisht të lehta ku siguruan gjashtë pikë, tashmë Teutës i duhet të kalojë një pengesë mjaft të vështirë siç është Tirana. Gjithsesi, në kampin durrsak besojnë se edhe ndaj kryeqytetasve skuadra do të bëjë një paraqitje dinjitoze. Në një prononcim për “Panorama Sport” sulmuesi i Teutës, Bledar Mancaku, u shpreh: “Jemi shumë të kënaqur nga paraqitjet që kemi bërë në dy ndeshjet e fundit, ku edhe morëm maksimumin prej gjashtë pikësh. Kemi punuar intensivisht për të arritur deri këtu, porse bëj thirrje që duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë dhe të përgatitemi për ndeshjen e ardhës. Them se ndaj Luftëtarit zhvilluam një ndeshje relativisht të kënaqshme. Gjatë pjesës së parë hasëm vështirësi të shumta, pasi kundërshtari u mbrojt me shumë forca, ndërsa në pjesën e dytë skuadra rriti presionin dhe si pasojë arritëm edhe ta zhbllokonim rezultatin. Ishim përgatitur për ta fituar atë përballje dhe më në fund ia arritëm qëllimit. Tashmë prioritet për ne mbetet që këtë sukses ta përsërisim edhe ndaj Tiranës”, – vijon sulmuesi. Durrsakët nën drejtimin e teknikut Magani kanë shënuar pesë gola dhe nuk kanë pësuar asnjë, ndërsa do të kërkojnë që edhe ndaj Tiranës ta ruajnë “virgjërinë” e fazës së dytë. “Nuk mundëm ta shijojmë siç duhet fitoren e arritur ndaj Luftëtarit, pasi na duhet të mendojmë menjëherë për ndeshjen e radhës. Përpara na pret një sfidë shumë e vështirë, duke qenë që në fundjavë do ndeshemi në kryeqytet me Tiranën. Duhet të punojmë intensivisht për këtë përballje dhe ta përgatisim këtë ndeshje si një finale. Në fakt, për ne çdo ndeshje tani e në vazhdim janë të gjitha finale. Përpara kemi mjaftueshëm kohë për t’u përgatitur dhe deri në fundjavë, kur është edhe ndeshja do të jemi gati. Ne nuk i trembemi kundërshtarit, por e respektojmë atë si një nga skuadrat me emër të madh në futbollin shqiptar”, – tha Mancaku.
Leonidha Musaj

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"