Mancaku bën “skanerin” e Teutës: Është për Europë, ja “bonusi” i madh që ka ekipi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 1, 2018 | 20:40

Mancaku bën “skanerin” e Teutës: Është për Europë, ja “bonusi” i madh që ka ekipi

Bledar Mancaku e sheh Teutën në zonën “Euro”. Ishsulmuesi i durrsakëve vlerëson punën e bërë nga stafi teknik dhe parashikon se skuadra do të dalë e fituar përballë Tiranës këtë të premte. Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, 36-vjeçari, i cili vazhdon të jetë pjesë e klubit si trajner i akademisë, u bën “skanerin” 10 javëve të para dhe evidenton pikat e forta. Ky grup sipas tij i përngjan Teutës kur ai luante ende futboll dhe thekson se çelësi i suksesit vjen prej Bledi Shkëmbit, të cilit i dëgjohet fjala.

mancaku

Pas 10 javësh të luajtura, mendon Mancaku që Teuta ka krijuar një identitet të saj në këtë kampionat?

Shoh që kjo skuadër në kaq javë ka marrë drejtimin e saj. Me plot gojën mund ta them, që po bën një kampionat të mirë dhe sidomos në javët e fundit. I kam ndjekur në çdo ndeshje dhe mendoj që janë në rrugën e duhur. Luhatjet e fillimsezonit janë harruar dhe tashmë po tregojnë vazhdimësi. Të nisësh sezonin me një grup të ri, të rindërtuar nga themelet, nuk është e lehtë. Kërkon kohë dhe kjo dihet, pasi lojtarët duhet të njohin njëri-tjetrin dhe të përshtaten mirë në fushën e lojës. Por, shoh që është përmirësuar ndjeshëm dhe ky është faktori kyç në arritjen e rezultateve. Skuadra edhe pse është e re, ka krijuar “fytyrën” e saj dhe i qëndron asaj që kërkohet, të jetë fituese.

Si e gjykoni punën e bërë nga stafi teknik me në krye Shkëmbin?

Teuta ka arritur të ndërtojë një staf që e njeh në imtësi futbollin shqiptar. Ka në përbërje njerëz që punojnë me shumë dëshirë dhe mbi të gjitha pasion, por kanë edhe një “bonus” të madh: kanë shumë eksperiencë. Shkëmbin e kam parë që në ditët e para kur mori drejtimin e ekipit tejet kërkues dhe në pak kohë ka arritur të krijojë një grup që i bindet në fushën e lojës. Pa dyshim që edhe përvoja që ka pas shpine, i vjen në ndihmë. E ka përcjellë më së miri te lojtarët atë çka di dhe kjo e ndihmon skuadrën të jetë akoma dhe më e fortë. Çdo gjë kërkon kohë dhe tani mendoj që Shkëmbi po merr frytet e punës së tij, fryte që kam bindjen që do vazhdojnë.

Është kjo skuadër më e fortë se në kohët kur Mancaku luante futboll?

Me kalimin e viteve çdo gjë ndryshon dhe çdo gjë vjen duke u perfeksionuar. Ne ishim një skuadër që kishim thuajse shtatë vite që luanim bashkë me njëri-tjetrin dhe kishim një harmoni në fushën e lojës, ndaj edhe përshtatja ishte më e thjeshtë. Siç e thashë, skuadra ka një grup të ri, por ka arritur të gjejë gjuhën e duhur për t’u përshtatur dhe po dhuron një lojë të kënaqshme, të bukur dhe pa dyshim shumë sulmuese ku arriti të reagonte shumë mirë pas javëve të para ku kishte ngërçin e golit. Mendoj që është një ekip që na përngjan ne, ka dëshirën dhe grintën që na karakterizonte edhe ne.

Një ndeshje e luftuar në Vlorë, por që u mbyll në barazim. Si e komentoni atë 90- minutësh?

Ishte një ndeshje shumë e luftuar dhe skuadrat ishin dhe vijojnë të jenë identike në tabelën e renditjes. Vlora gjithmonë ka qenë një fushë e vështirë. Skuadra dhuroi një ndeshje të mirë, me një ritëm të kënaqshëm dhe më pëlqeu mënyra sesi reaguan pas pësimit të golit. Barazuan dhe po të kishin pak fat, mund ta fitonin. Me lojën që bënë, do ta meritonin. Gjithsesi, ajo që është e rëndësishme është që për herë të parë në këtë sezon skuadra pëson gol dhe arrin të reagojë mjaft mirë, rëndësi ka ecuria pozitive.

Në fundjavë luhet TeutaTirana…

Është një ndeshje shumë e bukur nga vetë historia e dy skuadrave apo emocioneve që ka përcjellë kjo ndeshje ndër vite. Unë do ta cilësoja si një “klasike” të futbollit shqiptar. Është një përballje që arkivohet në histori dhe jam krenar që kam qenë pjesë e saj. Mendoj që i ka të gjithë përbërësit që të dhurojë spektakël dhe Teuta t’ia dalë me një fitore, sepse janë pikërisht këto ndeshje, ato të cilat të japin kreditet e duhura për të realizuar objektivat.

Në fazën e parë skuadra vuajti në transfertë. A mendoni se faza e dytë do të sjellë tjetër histori?

Dëshira është pa dyshim që skuadra të bëjë akoma më mirë dhe të marrë maksimumin në fazën e dytë. Faza e parë mendoj që u mbyll me një ngritje. Jo vetëm mori pikët e plota, por arriti dhe të gjejë rrugën e rrjetës, duke rregulluar marrëdhëniet me golin dhe duke korrigjuar gabimet në mbrojtje, duke qenë një ekip shumë kompakt. Gjatë fazës së parë, skuadra arriti të mposhtë Skënderbeun dhe në fund arriti të marrë një fitore ndaj rivalit direkt si Laçi. Mendoj se nëse do kenë më shumë fat dhe të ruajnë dëshirën që treguan në fundin e fazës së parë dhe të përmirësohen akoma më shumë në lojë, ky ekip mund të shkojë shumë larg. Pse jo, ta shohë veten në Europë, brenda fazës së dytë.

Cila është pika më e fortë e këtij grupi?

Pika më e fortë e këtij grupi, është pikërisht grupi. Në skuadër ka lojtarë, të cilët kanë mbi supe shumë vite eksperiencë, gjë që ndihmon shumë edhe të rinjtë. Por, jo vetëm, pasi edhe për stafin është mirë, pasi ia bën punën më të lehtë. Çdo repart ka filluar të funksionojë në perfeksion dhe shoh një skuadër me shumë harmoni.

Mendoni se objektivi “Europë” do të arrihet në fund?

Me shumë bindje e them që kjo skuadër, me kontingjentin që ka, do arrijë të jetë pjesë e Europës, duke realizuar objektivin e saj dhe duke rikthyer Teutën aty ku e ka vendin.

ANARILDO ALIA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"