Manaj, protagonist me penallti të humbur në debutimin me Pizën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 21, 2017 | 17:02

Manaj, protagonist me penallti të humbur në debutimin me Pizën

Rei Manaj ka qenë padyshim protagonist i ndeshjes së sotme të Pizës ndaj Ternanës në Serinë B. Sulmuesi, edhe pse kishte vetëm dy ditë nën urdhrat e Ivan Xhenaro Gatuzos u rreshtua si titullar nga trajneri i klubit të Serisë B dhe në një farë mënyrë u bë protagonist në fitoren 1-0 të skuadrës së tij.

manaj

Ai luajti që nga minuta e parë duke qenë një rrezik konstant për mbrojtjen kundërshtare, sidomos në pjesën e dytë kur dukej qartësisht se kishte më tepër mirëkuptim me shokët e skuadrës, mes të cilëve edhe Çanin, i aktivizuar në minutën e 68-të në vend të autorit të golit të avantazhit, Gato.

Në fund të ndeshjes, sulmuesi shqiptar kishte mundësinë që ta kurorëzonte me gol këtë paraqitje të tij të parë me Pizën, në minutën e 89 ai fitoi një penallti pasi u pengua në mënyrë të parregullt në zonë. Gatuzo i dha mundësinë që të shënonte golin që praktikisht do të mbyllte ndeshjen, por Manaj gaboi tërësisht nga pika e bardhë, duke çuar shumë lart mbi traversë goditjen e tij.

U desh një pritje vendimtare e Ujkanit një minutë më vonë pas një kundërsulmi të Ternanës që Piza të dilte me tri pikë nga fusha e lojës në këtë duel dhe t’i gëzohej faktit se ky rezultat i mundësoi të dilte nga zona e ftohtë e klasifikimit.

Larg zonës së rrezikut shumë shpejt mund të jetë edhe Avelino, që sot fitoi 2-0 ndaj Breshias. Nëse Gjimshiti ishte si zakonisht i pakalueshëm në mbrojtje për skuadrën e Avelinon, Ndoj mungoi për “dallëndyshet” për shkak të një virozë gripale që ka mbërthyer shumë futbollistë të Breshias.

Ndërkaq, Bari i Migjen Bashës ka pësuar një humbej të rëndë 2-0 përballë Çitadelës duke humbur hapin e ekipeve që pretendojnë për ngjitjen në Serinë A në sezonin e ardhshëm. Mesfushori shqiptar luajti gjatë gjithë ndeshjes, ndërsa u ndëshkua në fund të saj me karton të verdhë për protesta të tepruara ndaj gjyqtarit.

Seria B

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"