Malota dhe Çinari: Nuk duhet të ndalemi më. Kemi pasur presion, por tre pikët na qetësojnë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 20, 2018 | 20:33

Malota dhe Çinari: Nuk duhet të ndalemi më. Kemi pasur presion, por tre pikët na qetësojnë

Eraldo Çinari shënoi golin e parë, ndërsa Rento Malota vulosi fitoren e Vllaznisë. Të dy festuan me prestarët e stafit teknik dhe lojtarët e stolit, madje lezhjani shkoi direkt te trajneri Ernest Gjoka pas golit. Në bisedën për mediat, protagonistët e fitores së Vllaznisë kanë theksuar se ky triumf i jep më shumë frymëmarrje skuadrës. Si mbrojtësi dhe sulmuesi janë me këmbë në tokë, por të bindur se ekipi i ka të gjitha shanset për të vazhduar me fitore në kampionat.

vLLAZNIA

RENATO MALOTA – Mbrojtësi lezhjan erdhi si një përforcim i bujshëm nga Partizani në janar dhe dje e bëri sefte me fanellën e Vllaznisë. Ai zbulon se familjen e ka prej vitesh tifoze me kuqeblutë. “Kemi punuar gjatë gjithë kësaj jave dhe kishim një besim në vetvete që këtë takim do ta fitonim patjetër. Ishte një ndeshje që kishte shumë vlerë për ne. Arsyeja pse festova ashtu ishte se ishin bërë shumë gjëra bashkë. Një nga arsyet është se ishte një gol që do të na vlente shumë për të arritur te fitorja. U kënaqa më shumë sepse ky gol ndihmoi ekipin për të fituar këtë përballje kaq të rëndësishme”, ka thënë fillimisht Malota për të folur më pas edhe për dedikimin.

“Goli shkon për familjen time. Ajo më ndjek në çdo takim dhe aq më shumë tani që jam pjesë e Vllaznisë. Janë tifozë të Vllaznisë dhe e kanë ndjekur pa qenë unë pjesë e saj”. Në fund, mbrojtësi flet edhe për vazhdimësinë. “Ishte një trepikësh me vlerë. Normale ka kthyer në njëfarë mënyre qetësinë te ne. Por, ka shumë takime përpara dhe duhet të jemi me këmbë në tokë. Na jep frymë- marrje, por kur të sigurojmë mbijetesën, atëherë do të jemi të qetë. Kemi dy transferta të vështira, por nëse luajmë si në dy përballjet e fundit, nuk ka asgjë të pamundur”.

ERALDO ÇINARI – Sa herë shënon, golat e tij janë të gjithë të bukur. Edhe dje Çinari bëri një goditje fantastike me të majtën nga jashtë zone, duke mposhtur Kastratin dhe i hapur rrugën fitores së Vllaznisë. “Ka qenë një fitore e rëndësishme për ekipin tonë. Kishim gjithë javës që mendonim për këtë fitore. Mendoj se ekipi bëri më të mirën e tij në përgjithësi. Goli që shënova normalisht që të jep emocione, por kur fiton, përjetohet edhe më bukur. Ka qenë një trepikësh që na duhej, por nuk duhet që të themi se kemi arritur gjithçka.

Kemi fituar një takim që duhej fituar”, është shprehur i riu shkodran. Ai pranon se lojtarët e kanë ndierë shumë presionin e pikëve në këtë periudhë. “Kemi pasur presionin mbi vete, por falë Zotit arritëm atë që kërkuam. Na presin takime të tjera më të vështira përpara, ku duhet të vijojmë me rezultate pozitive. Shpresoj se do të vazhdojmë që të ruajmë këtë ecuri të këtyre javëve të fundit. Edhe në Gjirokastër nuk kemi pse të mos shkojmë për një rezultat pozitiv, por duhet të jemi me këmbë në tokë”, deklaroi autori i golit të parë në ndeshjen e djeshme.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"