Malota akord me Laçin dhe Gilman Lika drejt Kosovës, Vllaznisë i duhet të ribëjë skuadrën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 14, 2020 | 9:47

Malota akord me Laçin dhe Gilman Lika drejt Kosovës, Vllaznisë i duhet të ribëjë skuadrën

Ekipi i Vllaznisë ka zbritur gjatë para dites së djeshme në stadiumin “Loro Boriçi” për të filluar punën për sezonin e ri. Seanca e parë ka nisur me disa fjalë të trajnerit Tomas Brdariç në drejtim të lojtarëve që ka pasur në dispozicion në fillim të punës. Ai ka kërkuar disiplinë që para nisjes së stërvitjes dhe deri në fund. Trajneri Brdariç ka kërkuar që lojtarët të jenë 1 orë para nisjes së stërvitjes në ambientet ku do të zhvillohet seanca. Po ashtu, trajneri u ka shprehur djemve se në ditët në vijim do të jenë edhe të tjerë lojtarë cilësorë që do të bashkohen me ekipin.

vllaznia 

STËRVITJA

Në seancën e djeshme nën urdhrat e teknikut Brdariç janë vendosur vetëm 12 lojtarë, një ndër të cilët ka qenë edhe afrimi i parë për këtë sezon, vlonjati Ardit Hoxhaj. Parimisht palët kanë rënë dakord për kushtet e kontratës, ndaj Hoxhaj pritet të hedhë edhe firmën që të jetë pjesë e kuqebluve. Megjithatë, ajo që ra në sy ishte se nga kontingjenti i titullarëve të sezonin të fundit, bënin pjesë Adili, Gurishta, Kruja dhe Sidorenko, lojtarë që kontribuuan për këtë skuadër si titullarë. Ndërsa pjesa tjetër ishin lojtarë të rinj, madje të ardhur edhe nga ekipi U-19 i akademisë “Vllaznia”.

Në këtë stërvitje mungoi edhe portieri Efremov, i cili është bashkuar me ekipin si pjesë e listës së federimeve të Vllaznisë B në fund të muajit shkurt. Ai ka një kontratë me klubin deri në shkurtin e vitit të ardhshëm. Nisur nga kjo, Brdariç dhe trajneri i portierëve Lekiqi kanë pasur në dispozicion vetëm dy të rinj, Qarri dhe Shkoza. Edhe lojtarët e tjerë të rinj që ishin në stërvitje kanë qenë pjesë e ekipit në periudhën e fundit. Bushaj, Lekaj, Repaj, Mali e Deda dje kanë qenë pjesë e kësaj stërvitjeje të parë.

Ngo-Malota

RENATO MALOTA

Renato Malota është largimi i radhës nga Vllaznia. Mbrojtësi nëpërmjet një postimi në profilin e tij në “Facebook” ka njoftuar se ka mbyllur bashkëpunimin me klubin shkodran, por shton se është i lumtur që nuk e braktisi këtë skuadër në momente të vështira, kur edhe ofertat nuk i mungonin nga klubet e tjera.

“Përshëndetje të gjithëve! Nga sot (dje) nuk do të jem më pjesë e Vllaznisë. Ndihem mirë që në momentet më të vështira nuk e braktisa kurrë këtë skuadër, edhe pse ofertat nuk më kanë munguar asnjëherë. Dua të falënderoj kryetaren e Bashkisë Shkodër, për respektin që më ka dhënë, gjithashtu edhe administratorin Lici, që ka qenë korrekt dhe transparent me ne lojtarët. Në fund, dua të bëj një falënderim për tifozët shkodranë, që më kanë bërë të ndihem si të isha djalë Shkodre. Këtu mbyllet aventura ime me Vllazninë dhe gjithmonë do të keni një vend të veçantë në zemrën time”. Ky ishte mesazhi i lamtumirës i mbrojtësit Renato Malota, i cili duket pranë Laçit, pasi kanë nisur bisedimet mes palëve.

gilman lika

GILMAN LIKA

E enjtja ka qenë ditë largimesh në Shkodër. Ndriçim Shtubina ishte i pari që zyrtarizoi “divorcin” me shkodranët dhe pa humbur kohë u prezantua te skuadra e re, që çuditërisht është Egnatia që militon në Kategorinë e parë. Më pas vjen mesazhi i lamtumirës i mbrojtësit lezhjan. Gjasat janë që Malota të pasohet edhe me largime të tjera nga radhët e Vllaznisë.

Kapiteni i skuadrës, Gilman Lika, që ka marrë një ofertë zyrtare nga klubi, nuk pritet që të vijojë bashkëpunimin me Vllazninë. Lika, pas kontakteve që ka pasur me drejtuesit e klubit shkodran, mësohet se është joshur nga një ofertë më e mirë nga Kosova. Me shumë mundësi ai do të zgjedhë këtë të fundit për të vijuar karrierën e tij. “Panorama Sport” mëson se për largimin e kapitenit trajneri Brdariç indirekt u ka thënë titullarëve të sezonit të shkuar që kanë qenë dje të pranishëm në stërvitje. Megjithatë, derisa Lika të vendosë firmën mbi kontratë, opsioni i vazhdimit me Vllazninë mbetet ende i hapur.

ADMIR URUÇI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"