Mallkimi “Perez”, asnjë trajner debutues nuk fiton La Ligën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 24, 2018 | 17:58

Mallkimi “Perez”, asnjë trajner debutues nuk fiton La Ligën

Trajneri i Realit të Madridit, Hulen Lopetegui, startoi sezonin e ri në kampionat me Getafen. Spanjolli arriti të fitonte pastër 2-0 ndaj një kundërshtari modest. Ajo që ra në sy ishte futbolli i bukur që madrilenët prodhuan në fushën e lojës. Gjithsesi, trajneri nuk do ta ketë të lehtë të fitojë në vitin e tij të parë në “Bernabeu”, ashtu siç tregon historia e presidencës Perez, e cila ka parë gjithmonë që trajnerët debutues në Madrid të jenë të mallkuar në La Liga.

Lopetegui Perez

Për ta arritur këtë sigurisht që do të duhen lojtarë cilësorë që nuk kanë munguar as në të shkuarën. Por, trajneri Lopetegui nuk do ta ketë të lehtë, aq më tepër kur lojtarë si Eden Hazard po refuzojnë të luajnë në skuadrën kampione të Europës. Fakti është se në drejtimin e Florentino Perez si president i ekipit spanjoll, asnjë nga trajnerët debutues nuk ka arritur të fitojë në sezonin e parë, kampionatin spanjoll. Karlos Keiroz në sezonin 2003-2004, Kamaço Ramon dhe Luksemburgo në 2004-2005 apo dhe Lopez Karo në 2005- 2006…

Rezultatet më të mira në sezonet e para kanë qenë vendi i dytë në kampionat, ndërsa në Champions kalimi deri në gjysmëfinale. E njëjta gjë ndodhi edhe me trajnerin portugez, Zhoze Murinjo, që erdhi nga Interi pasi fitoi gjithçka me zikaltrit. Ai u rendit në vendin e dytë në sezonin 2010-2011 dhe në gjysmëfinale u eliminua nga Bajerni i Mynihut me penallti. Pasardhësi i tij, Karlo Ançeloti u rendit i treti në kampionat, por në “Champions” arriti të fitonte trofeun e 10-të.

Lopetegui konference

Pas italianit, erdhi Rafa Benitez që u shkarkua menjëherë në vitit 2015, me Perez që vendosi të sjellë në skuadër, Zinedin Zidan. Ish-fantazisti i madrilenëve arriti të fitonte vetëm Champions-in në vitin e tij të parë, ndërkohë që La Liga erdhi vetëm në sezonin e dytë për kampionët e Europës. Nëse Lopetegui do të arrijë të thyejë mallkimin “Perez” në sezonin e parë, kjo mbetet për t’u parë. Ndeshja e parë ndaj Getafes ishte një sinjal shumë i mirë që kjo mund të ndodhë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"