Mallkimi i Premier Ligës, asnjë trajner anglez nuk e fiton prej 25 vitesh

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 22, 2017 | 12:27

Mallkimi i Premier Ligës, asnjë trajner anglez nuk e fiton prej 25 vitesh

Zakonisht bisedat mbi futbollin me anglezët përqendrohen te fjalia e tyre klishe: “Futbollin e shpikëm ne”. Ndoshta kanë të drejtë se kanë shpikur një nga lojërat më të bukura në botë, por dy dekadat e fundit, ata nuk janë zotë në shtëpinë e tyre për sa u përket trajnerëve. Me mbi një shekull histori, kampionati anglez ka shumë shenja triumfi të strategëve anglezë, por vitet e fundit ata po hasin vështirësi të shpallen kampionë.

Ferguson

Sipas britanikëve të “The Sun”, në 25 vitet e fundit nuk ka asnjë trajner anglez që të ketë shpallur skuadrën e tij kampione të Premier Ligës. I fundit në listën e ishullorëve kampionë është Hauard Uilkinson, i cili në vitin 1992 shpallte Lidsin e tij kampion të Anglisë. Për këtë mallkim, “fajet” bien mbi Aleks Fergusonin, i cili me triumfet e tij në krye të “Djajve të Kuq” vendosi gati një diktaturë futbollistike mbi kampionatin e Mbretëreshës Elizabetë, aq sa kjo e fundit e emëroi “Sër” pas gjithë atyre sukseseve të panumërta.

Bashkëfajtorë me skocezin e Mançester Junajtid janë edhe disa italianë. Karlo Ançeloti dhe Konte, në kampionatin e fundit me Çelsin, kanë rrëmbyer nga një trofe secili, pa harruar dhe mrekullinë e vitit të kaluar nga Klaudio Ranieri, i cili shpalli kampion të pamendueshmin Leiçester.

lista

Hoze Murinjo dhe francezi Arsen Venger kanë rrëmbyer nga tri herë trofeun e kampionit të Anglisë. Një tjetër skocez është Keni Dalglish, që me Blekburnin e tij bëri një mrekulli më vete. Ishte pikërisht ky i fundit që i dha fillesë ciklit të mallkimit për trajnerët anglezë, të cilët kanë harruar të shpallen kampionë në vendin e tyre.

REINOLD BAKALLI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"