Mallkimi i debutimit, Anglia nuk e fiton kurrë të parën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 13, 2021 | 10:57

Mallkimi i debutimit, Anglia nuk e fiton kurrë të parën

Anglia po bëhet gati për të nisur Europianin e saj, ku nesër do të luajë përballë Kroacisë në “Wembley” në orën 15:00. Por, përveçse do të kërkojë hakmarrje ndaj Modriçit me shokë për atë eliminim në gjysmëfinalet e Botërorit “Rusi 2018”, duhet të prishë edhe një mallkim. “Tre Luanët” nuk e kanë fituar kurrë ndeshjen e tyre të parë të një Kampionati Europian. Nuk është një rastësi, sepse nuk ia kanë dalë të marrin maksimumin e pikëve në 9 turne në debutimin e tyre.

anglia

Trajneri Garet Sauthgejt i karikoi lojtarët e tij që të frymëzohen nga shpirti i skuadrës së Terri Vënejbëllsit, e cila në “Angli 1996” mbërriti deri në gjysmëfinale dhe u eliminua nga penalltia e tij e gabuar kundër Gjermanisë. “Ne po përmirësojmë shpirtin e skuadrës. Duam të prodhojmë edhe një herë atë shpirt që treguam në vitin 1996. Atëherë kishim disa liderë të shkëlqyer. Ata ishin lojtarë më shumë eksperiencë. Unë isha kapiteni i klubit tim, por ishte edhe Toni Adams, Stjuart Pirs, Pol Ins, Tedi Sheringam, Dejvid Plat, të gjithë kapitenë në klubet e tyre. Kishim lojtarë që merrnin përgjegjësi në momentet e rëndësishme”, kujton Sauthgejt. BONUSET Futbollistët e Anglisë do të përfitojnë në total një bonus prej 12 milionë paundësh, i cili është vënë në dispozicion nga Federata Angleze në rast se “Tre Luanët” triumfojnë në Europian. Bonusi i vendosur në dispozicion nga FA është më i madhi që është akorduar ndonjëherë për futbollistët e kombëtares angleze në një turne të rëndësishëm dhe kjo është normale duke parë se edhe UEFA e ka rritur me 24% premion e saj në këtë turne (393 milionë paund në total), në krahasim me atë të shkuarin në “Euro 2016”.

Bonusi i UEFA-s paguhet në varësi të progresit të një skuadre. Kampioni i ardhshëm i Europës do të sigurojë në total maksimumi 30 milionë paund, nëse ata fitojnë secilën nga 7 ndeshjet e turneut. Sipas kontratës së FA, ata do të mbajnë 60% të bonuseve të UEFA-s, ndërsa 40% do t’ua shpërndajnë skuadrës. 12 milionë paundët që FA ka vendosur në dispozicion të kombëtares, do të thotë se çdo futbollist i Anglisë do të përfitojë 461 mijë paund, më shumë se dyfishi i 217 mijë paundëve që ata përfituan për arritjen në gjysmëfinalen e Kupës së Botës 3 vite më parë. Çdo lojtar do të përfitojë edhe shifrën e 2 mijë paundëve për çdo ndeshje që do të luajnë, të cilën ata kanë preferuar që ta dhurojnë për bamirësi. Edhe trajneri Garet Sauthgejt do të përfitojë një bonus me 6 shifra në rast suksesi mbi rrogën e tij prej 3 milionë paundësh.

Përgatiti: ANDROKLI DRALO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"