“Mallkimi” i 7 fitoreve e goleadave, Interit i rishfaqen “fantazmat”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 13, 2018 | 11:48

“Mallkimi” i 7 fitoreve e goleadave, Interit i rishfaqen “fantazmat”

Prej ditësh mes tifozëve zikaltër më pesimistë qarkullon kjo batutë: “Inter-Xhenoa kujton Inter-Kievon, Inter-Kievo ishte një ‘Inter-Atalanta”. Pra: pas fitoreve kumbuese në “San Siro”, ja ku nis gjithmonë e famshmja “krizë interiste”. Një statistikë për ata që besojnë te besëtytnitë, që i shtohet mallkimit të shtatë fitoreve radhazi. PIOLI – 12 mars 2017, Interi i Piolit asfikson Atalantën në “San Siro”: 7-1, me tripletë të Ikardit e Banegës.

Inter

Një datë që të shumtë e kujtojnë sepse nga ajo ditë nisi fundi i epokës “Pioli”. Dhe nisi një seri negative: barazim me Torinon (2-2), humbje me Sampdorian, Krotonen, Fiorentinën, Napolin, Xhenoan e Sasuolon, me në mes barazimin kundër Milanit. Pas goleadës kundër bergamaskëve, pra, Interi regjistron 2 pikë në tetë ndeshje, mes javës së 29-të dhe 36-të.

I KA NDODHUR EDHE SPALETIT – Thuajse e njëjta situatë e sezonit të kaluar, të parit për Spaletin. Më 3 dhjetor, javën e 15-të, Interi shkatërronte Kievon 5-0 në “Meazza”, me forcë dhe cilësi loje. Nga ajo ditë, ja sërish një tjetër seri prej 8 ndeshjesh pa fitore: barazim me Juven, humbje me Udinezen e Sasuolon, e sërish pesë barazime radhazi me Lacion, Fiorentinën, Romën, Spalin e Krotonen.

7 FITORET RADHAZI SJELLIN… TERS – Por, ka një tjetër trend statistikor që tremb Interin. Dhe lidhet me 7 fitoret radhazi në kampionat. Vijnë menjëherë në mendje fjalët e Spaletit post-Atalantës, kur tha: “Ekziston një problem që më parë se të vija unë: nuk arrihet të mbahet përqendrimi për një periudhë të gjatë”. Me të dhëna në dorë, tendenca është kjo, mbi të gjitha nëse kujtohet kur Interi regjistronte shtatë fitore radhazi në Serinë A.

Ishte sezoni 2011-’12, në pankinë qëndronte Ranieri: 7 suksese radhazi mes 12 dhjetorit dhe 22 janarit, përpara humbjes me Leçen dhe nisjes së pikiatës, që do sillte shkarkimin e trajnerit roman në mars. Sezoni pasardhës (2012-’13): Stramaçioni fiton 7 njëra pas tjetrës, me të fundit suksesin 3-1 në “Juventus Stadium” më 03/11/2012 (3 nëntor, e njëjta datë e Inter-Xhenoa 5-0).

Më 11 nëntor Interi shkon në Bergamo dhe humbet 3-2. 11 nëntor, e njëjta datë e humbjes 4-1 të pësuar të dielën. Shtatë fitore radhazi edhe për Piolin në edicionin 2016-’17: nga java e 16-të në të 22-ën mbledh 21 pikë, më pas humbet me Juventusin dhe kampionati sërish ndërlikohet…

“ILAÇI” KUNDËR “VIRUSIT” – Cilat janë armët që imponojnë Spaletin të mos kapet nga “virusi” i mësipërm? Përpara së gjithash tani vjen pauza. Janë 12 zikaltrit të grumbulluar nga kombëtaret respektive (Ikardi, Martinez, Politano, Galjardini, De Vraj, Shkrinjar, Perisiç, Brozoviç, Vrsaliko, Vesino, Miranda e Zhoao Mario). Ka kohë mjaftueshëm për të harruar disfatën në Bergamo. Nga pikëpamja taktike u duk sikur sapo trajneri e tepron me rrotacionin, skuadra nuk mban.

Pra, Spaleti ka detyrën më të ndërlikuar: të rimëkëmbë grupin me bazën e shtatë fitoreve radhazi, të fshijë defektet që u shfaqën kundër Atalantës (skuadër e shpërqendruar, mesfushë në vështirësi të madhe, krahët e mbrojtjes zhgënjyen, Perisiç gjithmonë “i fikur”) e të riniset me ritmin e duhur. Një fitore kundër Frozinones në “San Siro: mund të jetë mënyra e duhur për të anuluar mallkimin e statistikave e për të përballur më së miri periudhën më të vështirë e delikate të sezonit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"