Maldinin e mori në qafë “Moneyball”, Kardinale dëshiron ta kthejë Milanin në… Brajton

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 6, 2023 | 23:40

Maldinin e mori në qafë “Moneyball”, Kardinale dëshiron ta kthejë Milanin në… Brajton

Lamtumira e Paolo Maldinit nga Milani vazhdon të jetë tema më e nxehtë në Itali, ku shumëkush nuk ka kuptuar arsyet e vërteta të ndryshimit të papritur të drejtuesve të kuqezinjve, të cilët larguan një ikonë të klubit në këtë mënyrë. Sipas “La Gazzetta Dello Sport”, gjithçka ka të bëjë me drejtimin e ri që do të marrë klubi, ku projekti sportiv do t’i besohej më shumë të dhënave statistikore.

kardinale

Nëse dyshja Maldini-Masara vëzhgonte lojtarë të ndryshëm me emër e eksperiencë për t’ia bashkuar klubit, pronari Xherri Kardinale mendon se Milani duhet të fokusohet në ndërtimin e cikleve fitues me lojtarë të rinj e të perspektivës, të cilët edhe në rast se shiten, të sjellin të ardhura për klubin.

Lojtarë të cilët të rekrutohen me sistemin e famshëm “Moneyball”, ku nuk shihet emri, por të dhënat statistikore të futbollistëve në varësi të rolit gjatë sezonit, me kosto të ulët, duke ia vënë në dispozicion një trajneri që mund të shfrytëzojë në maksimum aftësitë e tyre. Një sistem i cili përdoret prej vitesh nga Brajton, i cili kaloi nga një klub i kategorive të ulëta, në një realitet të rëndësishëm në Premier Ligë dhe këtë vit siguroi edhe praninë në kompeticionet europiane.

Një mënyrë veprimi në merkato që do të binte ndesh me autonominë e dyshes Maldini-Masara, gjë që solli edhe largimin e tyre. Tashmë do të jetë shefi i skautimit, Xhefri Monkada, ai i cili do të drejtojë projektin e ri. Në favor të tij është fakti që ka disa vite në klub dhe se dyshja Tomori-Kalulu, ishin “zbulimi” i tij. Koha do të tregojë nëse ky drejtim i ri, do të jetë pikërisht ajo për të cilën kishte nevojë Milani për të bërë hapin e radhës, por për momentin, kjo strategji ka sjellë vetëm pakënaqësi te tifozët kuqezi.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"