Maldini tregon jetën si drejtues: Me Hernandez më ndihmoi mbiemri, i thashë një klubi që as të mos e provonte për të

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 25, 2022 | 19:25


Maldini tregon jetën si drejtues: Me Hernandez më ndihmoi mbiemri, i thashë një klubi që as të mos e provonte për të

Paolo Maldini po përjeton një karrierë të dytë që duket se ka nisur me ritme po aq të larta dhe me suksese si në vitet si futbollist. Tanimë si drejtues i Milanit, ai është një nga strategët e ndërtimit të kampionëve në fuqi të Italisë, punë për të cilën ka pranuar se e ka ndihmuar mbiemri që mban dhe atë që përfaqëson në ngjyrat kuqezi.

MALDINI

“Po, është e vërtetë”, tregoi ai duke folur në aktivitetin “Festivali i Sportit”. “Unë e nis me këtë avantazh, pasi jam edhe i lidhur me këtë klub, jo vetëm për historinë time personale. Milani ka një histori që flet vetë, nuk ke nevojë ta tregosh. Këto gjëra të kombinuara në fakt, mund të bëjnë diferencën. Me Teo Hernandez ishte pikërisht kështu, edhe pse blerja e parë ishte Kruniç, një blerje që e bëra i vetëm.

Për Teon fola më parë me Real Madrid dhe pastaj me të. Fola thuajse si babai me të birin. Por më pëlqen të sillem kështu me futbollistët e mi. Mundohem që fillimisht t’i jap mbështetjen djaloshit e pastaj futbollistit. Për Hernandez më ka ndodhur që t’i them një klubi të huaj që as të mos e provonin. Por pastaj gjithsesi erdhi një ofertë”, tregoi Maldini.

Ndërkohë, ai ka treguar edhe se si janë raportet me dy emra të njohur të botës së Milanit e tashmë te Monza, Adriano Galiani dhe Silvio Berluskoni.

“Me Adrianon kishte ndonjë keqkuptim, ndoshta kishim një vizion pak miop për njëri-tjetrin, por tani raporti ynë është fantastik. Ai është një drejtues i madh, jetë të gjatë Galianit, i detyrohemi shumë. Berluskoni? Më ka telefonuar kohët e fundit për të më këshilluar një blerje, por nuk mund të them se kush është dhe nëse e blemë. Telefonon shpesh Piolin dhe e këshillon që të mos lejojë të luajë shumë me këmbë portierin”, tregoi Maldini në fjalët e tij.

PANORAMASPORT.AL