Maldini do si dhuratë spanjollin e Realit, kuqezinjtë ëndërrojnë për yllin e sulmit në Serinë A

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 27, 2022 | 15:51

Maldini do si dhuratë spanjollin e Realit, kuqezinjtë ëndërrojnë për yllin e sulmit në Serinë A

Siç dihet, Milani në këtë merkato vere do të kërkojë përforcime për repartin e avancuar. Një nga emrat e dëshiruar, pa dyshim, është ai i Marko Asensios. 26-vjeçari ka edhe një vit kontratë me Realin dhe nuk ka mundur të rinovojë.

Collage Maker-27-Jun-2022-03.50-PM

Ai do të shitet dhe për kartonin e tij, kampionët e Spanjës synojnë të arkëtojnë të paktën 40 milionë euro. Një shifër e lartë dhe jashtë buxhetit të Milanit, aq më tepër që djaloshi pretendon të paguhet me të paktën 7 milionë euro në vit.

Rroga e 26-vjeçarit tremb kuqezinjtë, të cilët, sidoqoftë, qëndrojnë në pritje për të tentuar afrimin në momentin e duhur. Situatë e ndërlikuar, por Asensio është i preferuar i Maldinit nga të gjithë emrat e përmendur deri më sot e nuk do të ishte çudi që pas rinovimit si drejtor teknik, 54- vjeçari të firmoste me lojtarin spanjoll, i cili mund të ishte dhurata e ditëlindjes për Paolon, por edhe “kartëvizita” e prezantimit të Xherri Kardinales në krye të klubit kampion Italie.

Pronari pritet të zbarkojë në Milano gjatë kësaj jave dhe së shpejti duhet të bëjë zyrtar rinovimin e Maldinit.

Ka nga ata që thonë se legjenda ka firmosur prej disa ditësh e të tjerë që ai duhet të firmosë sot. Sidoqoftë, rëndësi për klubin kuqezi ka që ishkapiteni të qëndrojë dhe të çojë përpara një projekt që deri më tani, siç e dëshmon edhe titulli, ka rezultuar fitues.

BOMBA NIGERIANE – Milani ka nisur nga puna në merkato për t’i dhuruar teknikut Stefano Pioli një skuadër që të jetë e aftë për të ruajtur titullin kampion të fituar në sezonin e shkuar, ku nuk përjashtohen edhe goditjet e bujshme siç është rasti i sulmuesit të Napolit, Viktor Osimhen.

Thuhet se kuqezinjtë kanë kontaktuar presidentin e napolitanëve, De Laurentis, për të kërkuar informacione lidhur me një akord të mundshëm. Përgjigjja e numrit një të Napolit ka qenë e qartë.

De Laurentis u ka theksuar drejtuesve të “Djallit” se duhen 100 milionë euro që sulmuesi të largohet. Presidenti shpreson të arkëtojë një shifër të majme duke parë edhe interesimin e klubeve si Reali dhe Liverpuli që gjithashtu interesohen për nigerianin.

Përgatiti: REINOLD BAKALLI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"