Mala nuk e harron Partizanin: I uroj të fitojë derbin, edhe pse barazimi do ishte i mirë për ne

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 18, 2022 | 20:48

Mala nuk e harron Partizanin: I uroj të fitojë derbin, edhe pse barazimi do ishte i mirë për ne

Esat Mala e cilëson një sinjal reagimi atë të Vllaznisë ndaj Kastriotit me një fitore që kthen pak qetësinë te kuqeblutë. Duke folur për “Oversport”, ai theksoi se skuadra ishte munduar të korrigjonte gabimet ndaj Egnatias dhe shpresonte të vazhdonte kështu. Ndërkohë, nuk ngurroi të uronte për një fitore të Partizanit në derbi edhe pse tani e ka rival në renditje.

mala

“Dihet që skuadra bën një paraqitje shumë të mirë në shtëpi. Normalisht në transfertë nuk është se kemi treguar atë që duhet, por punojmë vazhdimisht nga gjendja psikologjike që edhe në transfertë të luajmë njëlloj si në shtëpi.

Pas asaj humbje me Egnatian, normalisht që na vjen shumë mirë dhe jemi shumë të gëzuar që skuadra reagoi, kishim punuar që të ishim të kujdesshëm dhe të ishim më të vëmendshëm për çdo top dhe çdo gjë. Goli doli shumë shpejt dhe u përpoqëm të ishim të kujdesshëm gjatë gjithë lojës, tre pikët ishin të rëndësishme dhe shpresojmë të vazhdojmë me këtë grintë.

Nuk mund të them se ndaj Egnatias kishim nënvlerësim, se e njohim dhe janë lojtarë që kanë luajtur shumë kohë në Superiore. Por ndodhi nga një pakujdesi e jona dhe jo nënvlerësim, shpresoj të mos ndodhë më ajo dhe të ndodhë si sot, me tre pikë në vazhdim.

Ky pushim ka edhe të mirat, edhe të këqijat. Të mirat janë që rikuperojmë energjitë që kemi humbur gjatë javëve. Por e keqja është që humbim edhe ritmin. Por besoj se do të bëjmë mirë se do të rikuperojmë lojtarë që na kanë munguar dhe do të punojmë më shumë në aspektin fizik dhe taktik.

Besoj se është ende fillimi për mua, sapo po marr veten në aspektin fizik. Besoj se kam ardhur në formë relativisht të mirë, kam ende mundësi përmirësimi, po pres që të rritem fizikisht dhe besoj se do të ketë më shumë si nga unë, ashtu edhe të gjithë çunat.

Normalisht java derbi ndiqet nga e gjithë Shqipëria dhe i uroj sukses normalisht ish-skuadrës time, Partizanit. I uroj sukses në derbin se me vitet që kam kaluar aty i uroj të dalin sa më mrië. Pastaj në ndeshje të tjera të shohim. Barazimi për ne do të ishte i mirë, por pastaj derbi është derbi, nuk i dihet. Mbetet të shihet, ne jemi vetëm spektatorë në derbi”, tha Mala.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"