Makthi i transfertave, Tirana ka 19 muaj pa fituar jashtë fushe

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 21, 2017 | 18:00

Makthi i transfertave, Tirana ka 19 muaj pa fituar jashtë fushe

Tirana kërkon “marshimin” drejt kreut. Por, që të konfirmojë veten si pretendente kryesore në Kategorinë e Parë, duhet fillimisht që të fitojë në transfertë. Dhe duhet thënë se prej kohësh “forcat” i kanë rënë ndjeshëm, diçka që sigurisht duket nga verdikti final që prodhoi sezoni 2016-2017, kur ranë nga Kategoria Superiore.

tirana iliria

Bardheblutë kanë gati 19 muaj pa fituar jashtë fushe. Ka qenë data 7 shkurt e vitit 2016, kur kryeqytetasit (periudhë kur drejtoheshin nga Ilir Daja), fitonin me shifrat 0-3 në Kurbin. Por, që prej asaj kohe, kur janë zhvilluar edhe 25 ndeshje të tjera në transfertë, numërojnë vetëm një fitore.

Tirana

Por, për fatin e tyre të keq, edhe ajo sfidë është luajtur në “Selman Stërmasi”, periudhë kur Korabi i zhvillonte ndeshjet në kryeqytet. Në 24 takimet e tjera, bardheblutë kanë humbur 15 herë dhe barazuar 9, ndërsa edhe golavarazhin në total nuk e kanë aspak bindës.

E kanë gjetur vetëm 8 herë rrjetën e rivalëve (jashtë fushe gjithnjë) dhe janë ndëshkuar shumë herë më shumë, konkretisht 29 gola. Një bilanc zhgënjyes për më shumë se një viti e gjysmë, ndaj dashur pa dashur ekipi vendoset para përgjegjësisë për të larguar tersin.

tirana

Për të thyer një herë e mirë këtë “makth”, të cilin gjatë sezonit të kaluar nuk e mposhti dot as Mirel Josa si trajner, detyra i mbetet Ze Marias. Por, me ndryshimin e madh që tashmë nuk luajnë në Superiore. Pra, veç trepikëshit që i duhet për ngjitjen, bardheblutë do tentojnë që të evitojnë thellimin e kësaj statistike të frikshme.

Përballjet – Kundërshtar në javën e 2-të kanë Pogradecin, ekip që bardheblutë nuk është se e njohin shumë. Edhe pse në të shkuarën kanë luajtur me njëra-tjetrën, përballjet i kanë të pakta.

tirana

Pas viteve 2000 numërojnë vetëm 4 ndeshje, në të cilat Tirana është superiore. Kanë fituar 3 dhe barazuar vetëm një, ndërsa golavarazhi gjithashtu është “pro” kryeqytetasve, me 10 gola të shënuar dhe 3 të pësuar.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"