“Makthi” i Atletikos, Leo Mesi luan ndeshjen e 800 me Barcelonën ndaj skuadrës së Simeones

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 21, 2020 | 20:48

“Makthi” i Atletikos, Leo Mesi luan ndeshjen e 800 me Barcelonën ndaj skuadrës së Simeones

Lionel Mesi do të luajë mbrëmjen e sotme, kundër Atletikos së Madridit, ndeshjen e tij të 800- të me fanellën e Barcelonës në të gjitha kompeticionet. Kapiteni katalanas ka arritur këtë shifër spektakolare me 741 ndeshje zyrtare dhe 58 miqësore që nga viti 2003.

mini_3200x2000_Messi_800Partits

Nga ndeshja e tij e parë me Porton, deri në të fundit me Betisin kanë kaluar 17 vite. Leo u bë pjesë e Barcelonës në moshën 13-vjeçare dhe hap pas hapi ndoqi të gjitha kategoritë e moshave derisa arriti në skuadrën e parë.

Debutimin e tij e bëri në moshën 16-vjeçare dhe 4 muaj me humbje 2-0, ndërsa atë zyrtarin kundër Espanjolit në moshën 17- vjeçare dhe 3 muaj me fitoren 1-0. Golin e parë e ka shënuar në miqësoren kundër Palamos 0-6 në vitin 2004, ndërsa goli i tij i parë zyrtar erdhi në majin e vitit 2005 në “Camp Nou” kundër Albasetes (2-0).

BILANCI – Në 799 ndeshjet që ka luajtur deri tani me skuadrën e Barcelonës, Leo Mesi numëron 561 fitore, 149 barazime dhe 89 humbje. Kjo do të thotë se ai ka fituar afro 70% të ndeshjeve me katalanasit, ka barazuar 18.6% dhe ka humbur 11.1% të ndeshjeve. Me fjalë të tjera, “Pleshti” fiton 7 nga 10 ndeshje të luajtura. Sa u përket golave të shënuar janë 677.

Ai ka arritur të gjejë rrugën e rrjetës 640 herë në ndeshjet zyrtare dhe 37 në miqësore. Leo shënon 0.84 gola për ndeshje, shifër e jashtëzakonshme për një futbollist që është në nivele të larta prej 17 vitesh. Edhe minutat e luajtura janë spektakolare: 63.000. Në ndeshjet zyrtare ka luajtur 60.175 minuta, ndërsa në ato miqësoret 2.913 minuta. Kjo do të thotë se Leo është nga ata futbollistë që dëshiron të zbresë në fushën e lojës gjithmonë dhe të fitojë, nuk ka rëndësi nëse janë miqësore apo zyrtare.

Këta numra i kanë shërbyer argjentinasit që të arrijë suksese të jashtëzakonshme me fanellën e Barcelonës dhe të fitojë 34 tituj në karrierë: 10 La Liga, 8 Superkupa Spanje, 6 Kupa Mbreti, 4 Champions, 3 Superkupa Europe, 3 Botërorë Klubesh. Titullin e parë e ka fituar në sezonin 2004-2005 (La Liga), ndërsa i fundit gjithashtu ka qenë kampionat (27 maj 2019). Interesant është fakti që të dy titujt, si i pari dhe i fundit kanë ardhur kundër Levantes.

ME ATLETIKON – Mbrëmjen e sotme është një sfidë vendimtare për Barcelonën dhe Ronald Kuman sigurisht që do të mbështetet te kapiteni për të arritur suksesin. “Los Kolçoneros” janë një nga ekipet që kanë vuajtur më shumë golat e “Pleshtit”.

Ai ka arritur të gjejë rrugën e rrjetës 32 herë: 26 në La Liga, 5 në Kupë Mbreti dhe 1 në Superkupën e Spanjës. 17 prej këtyre golave janë shënuar në “Camp Nou”. Që nga koha kur është trajneri Diego Simeone, Mesi i ka shënuar Atletikos 12 gola, më shumë se çdo lojtar tjetër në Spanjë.

PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"