“Makth në Shqipëri”, Serran u tregon spanjollëve aventurën te Kukësi: Presidenti më akuzoi për shitje!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 25, 2017 | 9:37

“Makth në Shqipëri”, Serran u tregon spanjollëve aventurën te Kukësi: Presidenti më akuzoi për shitje!

Nga akuzat në Vjenë për trukim të miqësores Dinamo Moskë-Kukësi 6-0 te dyshimi i presidentit Safet Gjici se kishte shitur ndeshjen me Sherif Tiraspolin. Mbrojtësi spanjoll, Albert Serran, rikthehet edhe një herë të rrëfejë atë që i ndodhi te Kukësi në aventurën 1-mujore. Këtë herë Serran i thotë të gjitha për të përditshmen spanjolle “Sport.es”. “Panorama Sport” vendos ta publikojë shkrimin ashtu siç është botuar në gazetën katalanase, në një kohë që vetë Serran është nga Barcelona.

serran

RRËFIMI NË “SPORT.ES”

Alberto Serran, ish-lojtari i Espanjol në sezonin 2007- 2008, luajti në tre vitet e fundit në Qipro… Ndërsa tri javët e fundit te FK Kukësi në Shqipëri, me të cilin prishi kontratën për t’u kthyer në Barcelonë pas një eksperience të pabesueshme. Ai luajti te Suonsi dhe Alkorson, më pas tek AEK, Anorthosis dhe Doksa në Qipro para se të ndërmerrte një aventurë të re, në të cilin ai nuk dyshoi asnjëherë se do të kishte një fund të tillë.

Kjo edhe për faktin se gruaja e tij udhëtoi drejt Tiranës për “të njohur vendin dhe kërkuar shkollë” për të bijën. Ai përjetoi një eksperiencë të ndryshme… dhe vuajti një kalvar të paimagjinueshëm.

serran

“Makth në Shqipëri”, faksimile e artikullit dhe rrëfimit të Serran për “Sport.es”

“Nuk është e këndshme kur dikush të thotë, aludon, që ke shitur veten. Jam 33 vjeç dhe gjithmonë kam qenë shumë serioz. Kur më morën në pyetje në Vjenë, u çudita… Por, kur u ndesha me faktin se po ma thoshte presidenti im, në Moldavi, nuk e besoja. Kam dinjitet, ta marrë dreqi!”, tha Serran me zemërim për “SPORT.ES”, duke shpjeguar këtë eksperiencë të jetuar.

E tij është një histori kafkiane, e cila në ato ditë e bëri të “shqetësohej”, por me distancën kohore dhe kthimin në shtëpi, e interpreton si “një aventurë”. Pavarësisht faktit, siç paralajmëron ai, “gjithçka ishte aq e çuditshme për t’u besuar”.

“Iu bashkova në fazën përgatitore në Austri, me shpresën se do të përjetoja një eksperiencë të re, në një shtet të ndryshëm dhe që më jepte mundësinë të luaja gjithashtu edhe në Europë”, kujton ai fillimet, kur pranoi sfidën që filloi të transformohej pas një miqësoreje.

“Kundër Dinamos së Moskës. Që në minutën e 6-të humbnim 2-0, më zëvendësuan në minutën e 70-të… ndërsa ndeshja përfundoi 6-0″… Që nga ai moment, qetësia kthehet në çmenduri. “Shkuam në Vjenë për të udhëtuar drejt Moldavisë, për ndeshjen e vajtjes së Ligës së Kampioneve ndaj Sherif, ndërsa na presin 6 persona, të veshur civilë, por që janë të policisë.

Ata na thonë që po hetohemi për trukime ndeshjesh… Thërrasin 9 lojtarë, edhe unë mes tyre dhe na dërgojnë në komisariat ku na marrin deklarata dhe na mbajnë telefonat celularë për t’i kontrolluar”. Celulari? “Është ende atje, nuk ma kanë kthyer”, përgjigjet Serran, duke buzëqeshur me kujtimin para se të vazhdonte me tregimin.

“Udhëtuam drejt Moldavisë, luajtëm… dhe humbëm 1-0 për një penallti që e shkaktova unë, duke prekur topin me dorë në një lëvizje instinktive”. Ajo që ai e pranon si gabim, i dha rrugë një lloj makthi.

“Më thotë zëvendëstrajneri se presidenti dëshironte të fliste me mua dhe sapo mbërrita aty më thotë ‘a e ke shitur ndeshjen?’. E gjithë kjo ndërsa uleshim në një tavolinë ku kishte 6 shokë të tij pas krahëve dhe unë që po çmendesha”. Në këtë moment, katalanasi filloi të mendonte për t’u larguar.

“Askush, asnjëherë, nuk ka dyshuar tek unë. Por trajneri dhe shokët e skuadrës më qetësuan derisa arrita në banesë dhe fola me gruan time me një tablet, pasi ishte e qartë, nuk kisha më celular”. Dhe më pas… “shfaqet një nga miqtë e presidentit, duke më kërkuar që t’i dorëzoja tabletin! Nuk mund ta besoja. ‘Më jep tabletin’ më përsëriste, në një agim, në një hotel në Moldavi, pa shtuar asgjë më shumë…”.

Kur u kthye në Tiranë, ai mendoi menjëherë të prishte kontratën, por “preferova të prisja për ndeshjen e kthimit, pasi trajneri, i gjithë stafi dhe njerëzit më mbështetnin, më jepnin zemër dhe ma tregonin një gjë të tillë”. Ndaj vendosi të qëndronte, teksa luan pas një jave ndeshjen e kthimit “të vështirë, pasi me të gjithë këtë që ndodhi është e vështirë të përqendrohesh”, ndërsa Sherifi e eliminon.

“Arritëm në rezultatin 2-0 dhe e meritonim të fitonim më thellë, por na shënuan golin e 2-1, ndërsa ne goditëm 3 herë shtyllën, unë në minutën e 93-të”. Një ditë më vonë e kontakton menaxheri që e dërgoi në Shqipëri, Konstandin Grillo, për t’i thënë se e kishte telefonuar drejtori i klubit duke i thënë se Safet Gjici, presidenti i Kukësit, “dëshiron të prishë kontratën” dhe me një përzierje “shqetësimi dhe lehtësimi” firmosi prishjen e saj për t’u kthyer në Barcelonë.

Fundi i historisë. “Dua të vazhdoj të luaj”, thotë Albert Serran, tashmë në shtëpinë e tij, me familjen dhe një buzëqeshje në fytyrë… por pa mundur të harrojë atë që ka përjetuar në këto tri javë. “Vendi, njerëzit… Gjithçka më pëlqeu. Në rregull, thuajse gjithçka”, përfundon ai.

ERMAL KUKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"