“Makineri golash”, Apolonia sfidon kryesuesit, sulmuesi Gjata: Me tifozët mposhtim çdo kundërshtar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 6, 2020 | 22:38

“Makineri golash”, Apolonia sfidon kryesuesit, sulmuesi Gjata: Me tifozët mposhtim çdo kundërshtar

Është kthyer në befa si Apolonia gjatë fillimit të këtij viti. Një ekip i rinuar dhe me shumë ndryshime në formacion, bardhjeshilët po dëshmojnë një model pozitiv. Apolonia është skuadra më e re e kompeticionit në 3 ndeshjet e para të këtij viti, me mesataren as 20 vjeç. Ka një sulm efektiv, që ka shënuar më shumë se çdo skuadër tjetër e së Parës, 30 gola, 7 më shumë se Lushnja e vendit të dytë dhe me golavarazhin më të mirë të kësaj kategorie, +19.

apolonia-laci

Dhe të mendosh që trajneri Mërgjyshi gjithmonë ka shprehur shqetësimin për mungesën e lojtarëve të mirëfilltë mbrojtës dhe të një goleadori të spikatur. Por tek Apolonia shënojnë të gjithë, ndaj Shënkollit shënon gjysma e ekipit. Në 14 javë Apolonia vetëm në një ndeshje nuk ka shënuar. Interesant është fakti se Mërgjyshi në ndeshjet e fundit është bazuar në mbrojtje në lojtarë si Qosanj 17 vjeç, Zoga dhe Asllanaj nga 18 vjeç, Guri 20 vjeç dhe kapiteni E.Sota 21 vjeç, ndërsa në sulm thuajse gjatë gjithë kampionatit është mbështetur te dyshja Mihana-Gjata, i pari 20 vjeç dhe i dyti 19 vjeç, ku të dy kanë shënuar 10 gola.

A ka eufori tek Apolonia? Trajneri Mërgjyshi di ta mbajë me “këmbë në tokë” skuadrën. “Asgjë nuk kemi arritur, kampionati është i gjatë dhe shumë i vështirë, ndaj duhet të punojmë kokulur, duke menduar vetëm për ndeshjen e radhës”, thotë numri 1 i stolit fierak. Nëse vazhdon me këtë ritëm, Apolonia me këtë organikë do të jetë “hirushja” e kampionatit.

 SFIDA PËR KREUN – Gara për vendin e parë në Grupin B po bëhet gjithnjë e më interesante, pasi çdo javë ka rokadë në renditje mes Pogradecit, Apolonisë dhe Lushnjës. Fierakët dhe liqenorët rrallë janë ndodhur bashkërisht në këto pozita, ndonëse gjithmonë kanë dhuruar emocione në përballjet e tyre. Hera e fundit që kanë rivalizuar për në Superiore ka qenë sezoni 2015- 2016, por në fund u renditën në vendet 2 dhe 3, duke iu dorëzuar Luftëtarit.

Mario Gjata

Ballafaqimi i së shtunës është një supersfidë në shumë aspekte, por kryesorja është se ndeshen ekipet e kreut dhe fitorja ka vlerë të dyfishtë. Apolonia e rinuar apo Pogradeci me përvojë? Tri fitoret e 2020-ës dhe fakti që luajnë në “Loni Papuçiu” ua ka shtuar oreksin djemve të Mërgjyshit, të motivuar për suksesin e radhës, që do t’i “printonte” kryesues të grupit në një moment vendimtar. Nuk ka presion te fierakët, por fitorja është “detyrë shtëpie” për ta.

GJATA – Mario Gjata, pavarësisht moshës, vetëm 19 vjeç, ka dhënë prova bindëse tek Apolonia. I treti sezon që luan me të rriturit dhe këtë vit fitoi sfidën me një lojtar përvoje si Branica. Ai e ka shpërblyer besimin e trajnerit Mërgjyshi me 5 gola, 4 asiste dhe 3 penallti të fituara. “Të mos flasim në aspektin personal, por për skuadrën. Kemi arritur në formë të mirë dhe duhet të ruajmë ritmin.

Mario Gjata Apolonia

Vërtet jemi skuadër e re, por loja dhe rezultatet na motivojnë për të vazhduar më me forcë përpara. Eufori? Jemi të rinj me eksperiencë tani, pasi kemi kohë që luajmë bashkë dhe kemi një trajner ekspert që na mban ‘me këmbë në tokë’. Rezultatet flasin qartë dhe trajneri Mërgjyshi ka meritë të padiskutueshme. Ardhja e Ejoh është vlerë e shtuar për ne dhe është i mirëseardhur. Duhet të fitojmë me Pogradecin dhe për këtë na nevojitet edhe përkrahja e tifozëve tanë. I ftoj të jenë të shumtë në stadium, sepse kam bindjen se me ta në krah, mposhtim çdo kundërshtar”, thotë sulmuesi i Apolonisë, Mario Gjata.

BUJAR RAMA – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"