Makinë pa targa, Kaçe në rajonin e policisë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 24, 2013 | 12:28

Makinë pa targa, Kaçe në rajonin e policisë

KaceTelashet nuk kanë të sosur për Ergys Kaçen. Mesfushori i Kombëtares shqiptare ka përfunduar dje në rajonin e policisë, pasi po ngiste një makinë që nuk ishte e pajisur me targa. Gjatë udhëtimit të tij nëpër rrugët e Selanikut, futbollisti i përfaqësueses sonë kuqezi është ndaluar nga një patrullë e policisë greke dhe është shoqëruar në komisariat, ku ka qëndruar vetëm për pak minuta, sepse gjithçka është sqaruar shpejt. Mediat kanë aluduar se lojtari nuk ka pasur patentë, por kjo është hedhur poshtë nga vetë organet e policisë.
Ngjarja Gjithçka ka ndodhur dje paradite, kur Ergys Kaçe së bashku me një mikun e tij shqiptar kanë qenë duke udhëtuar në rrugë me një autoveturë pa targa. Sipas asaj që raportojnë mediat greke, makina ishte pa targa për arsye se figuronte me gjoba të shumta dhe policia vetë ia kishte hequr njërën prej tyre pak ditë më parë, me qëllim që ta detyronte pronarin e makinës të shkonte t’i paguante. Kaçe mësohet se ishte nisur pikërisht për në komisariatin e policisë kur kishte parë makinën pa targa, por gjatë rrugës është ndaluar nga policia. Pas disa sqarimeve dhe me ndërhyrjen e zyrtarëve të klubit të PAOK-ut, Kaçe është lënë i lirë, por ndërkohë rrezikon një gjobë të majme jo vetëm nga policia, por edhe nga klubi. Kujtojmë që ai është i pezulluar nga klubi grek pasi pak javë më parë publikoi një foto me fanellën e UÇK-së, çka solli një reagim të ashpër në Greqi. 19- vjeçari Kaçe është pezulluar pa afat dhe pritet që në janar të largohet nga klubi.

Sadiku LoretLoret Sadiku merr pasaportën shqiptare, pritet OK-i nga FIFA
Loret Sadiku, qendërmbrojtësi kosovar që luan me Hlisnborgun, është pajisur me pasaportë shqiptare. Në dekretin e firmosur pak ditë më parë nga presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, rezulton se përveç futbollistit 22-vjeçar, me pasaportë janë pajisur edhe lojtarët Vedat Muriqi (Teuta) dhe Liridon Leci (Kalmar).
E ardhmja Loret Sadiku është emri më i përfolur i muajve të fundit, për shkak se në garë për të marrë shërbimet e tij ka qenë edhe Suedia. Pas disa mëdyshjeve që ngjallën reagim të fortë në Shqipëri, qendërmbrojtësi 22-vjeçar zgjodhi të vishte fanellën kuqezi. Megjithatë, ai ende nuk është në gjendje të luajë për Shqipërinë, pasi në të kaluarën ka luajtur tri ndeshje me përfaqësueset e moshave të Suedisë. Për të bërë të mundur që të luajë me kuqezinjtë në të ardhmen, atij i duhet të marrë një leje të posaçme nga FIFA. Sadiku konsiderohet si një alternativë e vlefshme, në rast se dyshja qendrore Mavraj dhe Cana kanë ndonjë problem. Shqipëria do të luajë dy ndeshje eliminatore në tetor (11 dhe 15) përkatësisht kundër Zvicrës dhe Qipros. Aktualisht skuadra e drejtuar nga De Biazi renditet në vendin e 5-të me 10 pikë të grumbulluara. Ekipi deri në fillim të shtatorit pozicionohej në vendin e dytë, por dy humbjet me Slloveninë dhe Islandën sollën shumë zhgënjim.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"