“Magjitë i hoqëm qafe”, Bardhi “zbërthen” Besëlidhjen: I kthej lezhjanët në ‘shina’, Nokën e kam… shok

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 2, 2021 | 15:05

“Magjitë i hoqëm qafe”, Bardhi “zbërthen” Besëlidhjen: I kthej lezhjanët në ‘shina’, Nokën e kam… shok

Sinan Bardhi “zbërthen” Besëlidhjen. Gati një javë pasi presidenti i refuzoi dorëheqjen, trajneri tregon arsyet që e çuan deri në atë vendim.

Sinan Bardhi

Ndihet mirë që Gjok Noka beson tek ai dhe premton se këtë grup do ta kthejë në “shina”. Gjatë një interviste të dhënë enkas për “Panorama Sport”, numri një i pankinës evidenton ngërçin psikologjik që kaloi skuadra pas barazimit dramatik me Partizanin B. Ka pritshmëri më të mëdha nga sulmi, ndaj hapur e thotë që tani pret gola.

Ka kaluar gati një javë nga rikonfirmimi juaj në krye të pankinës së Besëlidhjes. Si ndihet një trajner, kur presidenti i refuzon dorëheqjen?

Me presidentin Gjok Noka kam pasur marrëdhënie shumë të mira që në krye të herës. Që prej ditës që kam ardhur si trajner, kuptohemi më së miri dhe mbi të gjitha jemi shok. E falënderoj për besimin dhe mbështetjen që më dha, pasi më bën realisht të ndihem i vlerësuar. Kjo më mobilizon që të vazhdoj të punoj me përkushtim maksimal, për ta rikthyer skuadrën në “shinat” e suksesit.

A mund të fitohej ndeshja ndaj Partizanit B, nëse skuadra do të ishte më e mobilizuar?

E kam thënë edhe pas ndeshjes, ne zhvilluam volum të madh loje. Ishim ne që patëm kontrollin e topit, ne që krijuam një mori rastesh, por deri pak para mbylljes së kohës së rregullt, nuk arritëm që të finalizonim. Pas minutës së 85-të skuadra nisi të funksiononte shumë mirë dhe arritëm që ta mbyllnim kundërshtarin në portë, duke shënuar dy herë radhazi. Gola që, në fakt, na u anuluan, sikundër dihet tashmë. Dhe për mua, goli i parë ishte më se i rregullt.

Ndërruat disa herë rreshtim në atë sfidë, gjë që rrallëherë ka ndodhur. Pse vepruat kështu?

Është e vërtetë, ndryshova rreshtim taktik dhe këtë ma diktoi mungesa e golit. U detyrova që të shtoja forcat në sulm, vetëm e vetëm që të zhbllokonim shifrat dhe merrnim pikët e plota. Më erdhi shumë inat që edhe me 5 sulmues nuk morëm atë që meritonim dhe kjo më bëri që t’i kërkoj largimin nga pankina presidentit.

Në analizën që zhvilluat pas ndeshjes, si i “shkundët” futbollistët?

Nuk penalizuam askënd, u mjaftuam vetëm me kritika. Skuadra prodhoi lojë, krijoi raste dhe shënoi, ndonëse u anuluan golat. Jam i kënaqur me skuadrën, pasi derisa ra bilbili i mbylljes së gjithë ndeshjes, ishte agresive. Kjo tregon se Besëlidhja është një ekip rezistent deri në fund. Kjo më bind në realizimin e objektivave.

Cilat pika të formacionit të skuadrës nuk po funksionojnë?

Duhet të konsolidojmë sulmin, pasi nuk po shënojmë. Në 4-5 ndeshjet e fundit, jemi mjaftuar vetëm me 2-3 gola. Pa qenë konkret, nuk ka pikë. Repartet e tjera po funksionojnë shumë mirë, këtë e tregon sasia e golave që kemi pësuar.

Ama gjatë dekadës së fundit, Besëlidhja nuk ka pasur më shumë sulmues sesa tani…

Nuk është vetëm çështje sasie, por cilësie. Ne kemi 5 sulmues, ku tre syresh vlejnë dhe ne po punojmë fort që të marrin karikimin e duhur brenda kapaciteteve që mbartin. Ne do të provojmë skemën klasike me dy sulmues në fillim të lojës dhe shpresoj se do të japë rezultatin e pritshmërive. Ju e patë që edhe me 5 sulmues nuk funksionoi, ndaj duhet ndryshim.

Sa ju shërbeu pushimi para “finales” me Burrelin?

Pushimi na ndihmoi për të kaluar gjendjen e rënduar psikologjike që la barazimi me Partizanin B. Skuadra pati kohën e duhur për të rimarrë veten jo vetëm në këtë drejtim, por edhe në planin fizik dhe teknik. Optimizmin po ma shton edhe paraqitja e skuadrës në stërvitjet e fundit. Shpresoj shumë se “magjitë” dhe “të këqijat” e kanë realizuar planin te Besëlidhja dhe tani do të na hiqen qafe.

PRENG GJIKOLA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"