“Magjistarja” serbe shëron Arapin, do të jetë gati për Kukësin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 25, 2020 | 11:59

“Magjistarja” serbe shëron Arapin, do të jetë gati për Kukësin

Renato Arapi jep shenja rikthimi. Kapiteni pritet që të jetë në fushë ndaj Kukësit, pasi terapia që po kryen në Serbi ka dhënë rezultat të shpejtë. Gjendja e mbrojtësit është përmirësuar ndjeshëm pas disa seancash terapi, aq sa nesër mund edhe t’i bashkohet grupit në stërvitje. Dhe nëse gjithçka shkon sipas planeve, ai të shtunën do të jetë një forcë më shumë për formacionin e Edi Martinit. 

pjimage3

Lojtari pas një mungese të gjatë, gjeti derman te “magjistarja” serbe, sikundër njihet ndryshe edhe fizioterapistja Marijana Kovaçeviç. Kujtojmë se ai kishte pësuar tërheqje realisht të rëndë, prej afro 10 centimetrash dhe më në fund po rikuperohet. Nuk është vetëm ky lajmi i mirë para javës së 24-t, pasi grupit do i shtohet edhe Albano Aleksi. Duket se mesfushori që shpesh është adaptuar edhe në mbrojtje e ka kaluar gripin dhe pritet në fushë ndaj verilindorëve. Një rikthim i rëndësishëm është edhe ai i Lorenco Vilës. Lojtari ka ezauruar pezullimin prej të verdhëve, ndaj mund ta llogarisim si titullar këtë të shtunë.

Martini-Teuta-e1576506342842

PËRGATITJET – Pas 24 orësh pushim, Teuta rinis përgatitjet antiKukës. Nën drejtimin e trajnerit Edi Martini, ekipi zhvilloi dje të parën seancë për këtë javë. Lojtarët zbarkuan në orën 15:00 në ambientet e kompleksit sportiv “Olympic Park” dhe zhvilluan një stërvitje mes relaksit dhe ritmit. Grupi u nda në dysh. Ata që luajtën kundër Skënderbeut kryen vrapime rreth fushës dhe disa ushtrime shkrydhëse nën survejimin e zv.trajnerit Bledar Hodo dhe më pas kryen edhe terapi apo ushtime në pishinë për t’u rigjeneruar më shpejt nga ngarkesat që la ndeshja e fundit.

Për pjesën tjetër nuk pati “mëshirë”. Ngarkesat nuk u kursyen dhe pas nxemjes së zakonshme, zhvilluan edhe disa lojëra të ndryshme me top. Në fund, nuk mungoi loja me portat në gjysmëfushë, ndërsa u pa qartë se vëmendja iu dha sulmit. Objektivi i durrsakëve tashmë është zhbllokimi i Idelino Kolubali Gomes, ndaj edhe çdo top shkonte drejt tij. Teuta duket e motivuar para këtij 90-minutëshi. “Djemtë e detit” e shikojnë si një ndeshje të radhës, edhe pse përballë kanë një skuadër shumë cilësore. Trajneri u ka kërkuar lojtarëve që të mos luajnë me frikë dhe të jenë sa më të qetë në fushë, pasi vetëm në këtë mënyrë do të dalin me pikë të plota. Në të njëjtën kohë është munduar që t’i bindë se në këtë kampionat nuk ka të fortë dhe të dobët, ndaj ata duhet të tregojnë vlerat e tyre dhe të luajnë me zemër që të rikthehen te fitoret.

ZAMIR QYPI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"