Magjistari Musiala, në Gjermani e krahasojnë me Nejmarin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 18, 2021 | 12:41

Magjistari Musiala, në Gjermani e krahasojnë me Nejmarin

Bundesliga dhe Bajerni i Mynihut në veçanti është tani në varësi të një prej talenteve më të mëdha në futbollin gjerman, Jamal Musiala.

musiala-celebration-fcb

Një mesfushor me tipare sulmuese, vetëm 18 vjeç, ai është prej kohësh një lojtar formacioni në skuadrën gjermane. Dy gola dhe dy asiste në ndeshjen e fundit në kampionat, starti i talentit që luan me kombëtaren është më i miri që nga koha kur iu bashkua skuadrës bavareze.

Konfident dhe i sigurt në zotërimin e topit, Musiala po krahasohet me ish-yllin e Real Madridit, Mesut Ozil. Për legjendën gjermane, kapitenin rekordmen të Gjermanisë, Lotar Matesu, Musiala është Nejmari i ardhshëm. Trajneri Julian Nagelsman u shpreh në një intervistë se djaloshi është shumë i uritur për të mësuar çdo ditë gjëra të reja në stërvitje. I rrethuar nga kampionë, Musiala nuk mund ta mendonte një shkollë më të mirë futbolli sesa ajo e Bajernit. Ishte Hansi Flik ai që zbuloi dhe rrezikoi me talentin gjerman.

Debutimi i Jamalit ishte që në qershor të 2020-ës. “Ai është shumë i mirë në duelet një kundër një, punon fort, shpërthimet e tij janë prej kampioni”, shprehej Fliku në atë kohë. Musiala është duke arritur atë që pak talente nga akademia kanë arritur të bëjnë. Tomas Myler është njëri prej tyre, mesfushori gjerman tha se 18-vjeçari e kujton me veten e tij.

“Jamal është një djalë fantastik, në stërvitje është gjithmonë aktiv, kërkon vetëm këshilla. Luan sikur të kishte një jetë këtu. Ai është e ardhmja e futbollit gjerman dhe ne jemi me fat që e kemi në skuadër, një magjistar i vërtetë dhe të mendosh që është vetëm 18 vjeç”, tha Myler.

Shokët e skuadrës e duan për thjeshtësinë e tij, gjithmonë i përulur në kuptimin e mirë të fjalës. “Ai hyn në fushë dhe nis të zbavitet, tifozët e duan, është bukur ta shohësh të luash”, u shpreh Timo Verneri, shok skuadre me Musialën në kombëtaren e Gjermanisë. “Është e çuditshme, por nga ai mund të mësosh shumë gjëra për mënyrën se si luan”, shtoi Verneri.

Edhe pse vetëm në hapat e parë, Jamal Musiala është në rrugën e duhur për t’u bërë një nga lojtarët më të mirë në vitet e ardhshme. Duhet ta pranojmë që Bajerni ka një diamant në skuadër i cili ka nisur të shkëlqejë.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"