Magani ul në stol të birin dhe Ribajn, ndaj Skënderbeut ia beson sulmin një afrikani

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 19, 2017 | 9:47

Magani ul në stol të birin dhe Ribajn, ndaj Skënderbeut ia beson sulmin një afrikani

Gugash Magani ka preferuar të heshtë para ndeshjes së kthimit për gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë. Trajneri i Teutës është supersticioz dhe mendon se deklaratat para takimeve nuk i sjellin shans. Megjithatë, dje peqinasi i pankinës ka qenë shumë i përkushtuar në seancën e fundit stërvitore, duke punuar nga ana taktike me skuadrën. “Panorama Sport” zbulon se Magani ka vendosur të bëjë ndryshime të mëdha në sulm.

gugash magani

Duke qenë se i biri i tij, Artur Magani, por edhe Andi Ribaj nuk kanë shënuar në ndeshjet e fundit në kampionat, trajneri ka preferuar që t’i ulë në stol të dy. Sytë e Teutës ndaj Skënderbeut janë nga sulmuesi Faizal Bangal. I ardhur me bujë në verën e vitit të kaluar, lojtari nga Mozambiku nuk i ka përmbushur ende pritshmëritë e drejtuesve, por gjithsesi sot në klubin durrsak shpresojnë që Bangal të justifikojë gjithçka me paraqitjen e tij në një takim vendimtar.

Ndërkohë, Magani duket i fiksuar pas skemës 4-1-4-1, me synimin për të ruajtur ekuilibrat. Në portë nga minuta e parë do të jetë Moçka, ndërsa mbrojtja do të përbëhet nga Beqaj e Kotobelli nga krahët, si dhe Rustem Hoxha e Markoviç në qendër. Para mbrojtjes do të vendoset Arsen Sykaj në rolin e një kontrollori.

Rikthehet titullar Ardit Hila, i cili mungoi në ndeshjen e parë për shkak kartonësh. Me Bruno Ditën në qendër dhe Prognin e Mustën nga krahët në mbështetje të Bangal, Teuta do të kërkojë të shënojë një gol të shpejtë, për të tentuar më pas përmbysjen e madhe.

teuta formacioni

ARDIT HILA

I rikthyer pas dëmtimit, mesfushori Hila shpreson te një përmbysje rezultati. Për elbasanasin e Teutës, asgjë nuk është e pamundur. Në bisedën për “Panorama Sport”, mesfushori beson te kalimi në finale.

“Jam rikthyer pas dëmtimit që më mbajti jashtë për disa javë. Fatmirësisht, jam gati në një ndeshje të rëndësishme siç është kjo kundër Skënderbeut. Kjo ndeshje do të thotë shumë për ne, pasi kemi humbur në Korçë 1-0. E dimë që do të jetë e vështirë, pasi kundërshtari luan më i qetë. Do të provojmë të përmbysim shifrat dhe të shkojmë në finale.

Nuk është asgjë e pamundur, mjafton që të kemi grintën e duhur dhe të luajmë siç dimë ne, duke zbatuar udhëzimet që na janë dhënë. Kemi besim se mund t’ia dalim. Janë vetëm 90 minuta dhe nuk kemi çfarë të humbasim. Ua kemi borxh tifozëve finalen e Kupës. Shpresoj që sot të na mbështesin fuqimisht”, deklaroi Hila.

JETON REXHMATI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"