Magani u “tërheq veshin” të tijve: Nuk duhet të flenë në minutat e fundit
Gugash Magani u shpreh i zhgënjyer nga humbja 2-1 kundër Kukësit në shtëpi. Në prononcimin për “SuperSport” pas ndeshjes, trajneri i Teutës fajësoi lojtarët e tij për mungesën e vëmendjes në minutat e fundit të lojës. Sipas teknikut peqinas, skuadra duhej ta kishte qarkulluar më shumë topin për ta kontrolluar avantazhin.
Kjo është deklarata e Maganit:
“Edhe gëzimi edhe zhgënjimi janë pjesë e punës sonë. Më vjen keq vetëm për pjesën e pësimit të golave dhe për 30 minutat e fundit të lojës, kur edhe mund të kishim dyfishuar avantazhin. Megjithatë u ndëshkuam si nga presioni i kundërshtarit edhe nga pakujdesia jonë në momente të veçanta. Hodhëm topa pa adresë, gjë që për asnjë moment nuk ka qenë porosia ime. U fola vazhdimisht lojtarëve me eksperiencë. Nuk mund të shtyhen 25 minuta vetëm duke larguar topin pa adresë, pa mendim.
Megjithatë kjo nuk u realizua dhe është përgjegjësia ime, por edhe e lojtarëve, pasi janë ata që e interpretojnë ndeshjen. Rezultati menaxhohet më mirë duke qarkulluar topin, pasi duke e pasur topin në zotërim mbrohesh më mirë. Por i tillë është futbolli dhe duhet ta pranojmë ashtu siç është. Ajo çka më vjen keq është se sot duhet të kishim marrë të paktën një barazim.
Sa për gjyqtarët, them se gabimet njerëzore nuk kthehen dhe realiteti është që ne sot u mundëm në shtëpi. Them se do ta kalojmë këtë moment. Do t’i kërkoj skuadrës të vazhdojmë punën, sepse jemi në vendet e fundit dhe na duhen pikët. Duhet të jemi të kujdesshëm, pasi ndeshja është 90 minuta. Në pjesë të veçanta, ku duhet të japim 150 për qind, kemi gabuar, sikurse në humbjen me Tiranën.
Ne punojmë shumë me goditjet standarde, megjithatë, kjo varet edhe se si i interpretojnë mbrojtësit situata të caktuara. Prandaj, përveç pjesës tekniko-taktike, duhet të punojmë shumë edhe me atë psikologjike. Një ndeshje i ka të tre rezultatet, por të mundesh në këtë mënyrë mendoj se është jo fort profesionale. Lojtarët duhet të jenë të përqendruar nga fillimi deri në vërshëllimën e fundit, duhet të jenë të qetë, jo të flenë.
Mendoj se nuk jemi skuadër pa grindë, madje sot kemi treguar shumë, pavarësisht se e pësuam. Por mund të them se, sikundër në ndeshjen e kaluar, mungesa e vëmendjes në momente të veçanta ishte dobësia jonë kryesore.
Nuk dua të bëj koment për rastin e golit të anuluar, pasi atë e shikojnë specialistët. Në qoftë se është gol i rregullt dhe nuk është dhënë, secili duhet të mbajë përgjegjësitë e veta. Nëse këmba e sulmuesit ka qenë brenda vijës kur e preku topin, atëherë është gol. Megjithatë kjo nuk ka asnjë rëndësi ka tani.
Unë mundohem të punoj maksimalisht me skuadrat që drejtoj. Flamurtarit i uroj suksese, është një skuadër të cilën e kam ndërtuar vetë. Jo se nuk është e njëjta gjë edhe me Teutën, pasi është gati 80 për qind e ekipit të vjetshëm, por mendoj se është edhe çështje fati. Nëse do të ishte dhënë edhe penalltia, atëherë shifrat mund të ishin ndryshe. Këto katër-pesë muajt e fundit të 2016-s mbase nuk kanë qenë shumë me fat për mua”.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"