Magani: Tirana, jo më “autoshkollë” pas 6 janarit. Marrim notë ngelëse, priten largime

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 25, 2013 | 13:30

Magani: Tirana, jo më “autoshkollë” pas 6 janarit. Marrim notë ngelëse, priten largime

maganiGugash Magani paralajmëron se, veç afrimeve, do të ketë edhe largime nga Tirana. Trajneri i Tiranës, në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport” para seancës së djeshme stërvitore, ka rrëfyer planet për të ardhmen. Ai saktëson se pas 6 janarit bardheblutë nuk do të jenë më “autoshkollë”, por do punohet vetëm me grupin që do të mbyllë krejt sezonin.
Keni rifilluar përgatitjet, cilin është programi në vazhdim për Tiranën?
Plani i parë është që të shohim ndonjë element të ri dhe, i dyti, të mbajmë ekipin në tonus. Afron fundi i vitit dhe lojtarët abuzojnë shumë, do të na vijnë mbipeshë. Prandaj, kur të merren pushimet, do u jap një program 3-4 ditor, pasi është mirë që të punojnë fizikisht dhe mendërisht, përpos pushimit. Më pas, më datë 6, do rikthehemi sërish. Java e parë e janarit do të jetë fillimi i një minifaze, e cila nuk do të zgjasë më shumë se 14 ditë.
Do të ketë ndonjë masë nëse lojtarët do rikthehen mbipeshë?
Po afron viti 2014, ndaj nuk ka nevojë për masa, pasi çdokush është i vetëdijshëm. Si unë dhe lojtarët do të bëjnë punën e vetë. Ne jemi punëmarrës dhe do u përmbahemi detyrave.
Po për merkaton ka ndonjë plan konkret?
Pasi të flas me drejtuesit, do të qartësohet gjithçka. Kam një plan timin, lojtarë që janë të sigurt që do të rrinë, ata që janë në dyshim dhe ata që do largohen. Katër ditët e fundit do shërbejnë për të konsoliduar në një farë mënyre grupin, pasi më datë 6 janar nuk do të ketë më “autoshkollë”. Do nisin punën me skuadrën, por me ata lojtarë që do mbyllin sezonin. Nuk do të vijnë më lojtarë për provë pas kësaj date.
Po për afrimet ka ndonjë lëvizje konkrete?
Jo, nuk mund t’u jap emra, pasi s’jam ulur as me drejtuesit. Pasi të flas me ta, do të konkretizohet diçka. Sigurisht që afrimet do të ndodhin, pasi të zbardhim edhe buxhetin.
Sa afrime dhe sa largime mund të ketë?
Organika ka qenë realisht e fryrë, por me lojtarë që nuk ia vlejnë. Sa do të afrohen, aq edhe largohen. Pjesë e ekipit do jenë ata me eksperiencë dhe ata që kanë dalluar me paraqitjet e tyre.
Pas ndryshimeve në drejtimin e skuadrës, ju personalisht keni folur me donatorët?
Nuk mund të jap asnjë koment në këtë drejtim. Nuk më takon mua, por nuk kam folur ende, mund të flas sot pasdite (dje).
Do të ketë ndryshime në të ardhmen tuaj, nisur nga kjo lëvizje?
Kam një kontratë me klubin deri në qershor. Më pas u takon atyre të vendosin. Unë jam në punë aktualisht.
Si ka qenë kjo periudhë në drejtim të Tiranës?
Shumë e vështirë, por në të njëjtën kohë jam i kënaqur me ambientin, pasi nuk kam pasur kurrfarë presioni, përpos problemeve dhe luhatjeve në rezultate që ka pasur Tirana. Kjo pjesë më jep kënaqësi, pasi më krijon komoditet. Me përforcimin e skuadrës sigurisht që gjithçka do të jetë edhe më e lehtë.
Keni thënë shpeshherë që do të bënit një analizë të hollësishme pas mbylljes së këtij viti kalendarik. Mos ka lidhje kjo me listën që keni përgatitur për largimet?
Ajo është, por do bëhet me lojtarët që do qëndrojnë te Tirana.
Kur do u komunikohet futbollistëve largimi?
Pas datës 28, pasi të marrin pushimet. Ne, për momentin, nuk kemi ide konkrete për ata që do të afrohen. Por me lojtarët që do të qëndrojnë, do të kryejmë analizë të detajuar, duke u bazuar te minutazhi që ata kanë luajtur në fushë.
Çfarë note do i vinit ekipit tuaj në 5 ndeshjet e fundit?
Vlerësimin e jep tabela dhe eliminimi nga kupa. Unë, së bashku me lojtarët s’kemi notë kaluese. Që ta ndryshojmë këtë, duhet që të bëjmë autokritikë me rezultate.
Gjithsesi, Tirana ka reaguar në fushë, funksionon më shumë…
Do parapëlqeja më shumë ndoshta pikët, përpos lojës së bukur.
Faza përgatitore ku do të kryhet?
Dëshira është për jashtë vendit, pasi atje grumbullohet, mund të bësh një plan. Megjithatë, do i përshtateshim çdolloj versioni që do të na jepej.

Halili konfirmon Maganin dhe diskutojnë për merkaton
Refik Halili, njëri prej donatorëve që ka marrë edhe “çelësat” për drejtimin e Tiranës, gjatë ditës së djeshme ka pasur një takim me trajnerin Gugash Magani. Gjatë orëve të pasdites, nga sa mësohet, palët kanë konsumuar një kafe miqësore dhe diskutuar gjerë e gjatë për të ardhmen e ekipit kryeqytetas. Ndër të tjera, sponsori i ka dhënë besimin e tij absolut numrit një të stolit, duke e konfirmuar kështu në detyrën e tij. Në javët e fundit skuadra ka dhënë rezultate kryesisht në lojë dhe është pikërisht ky motivi që i bind drejtuesit të japin përkrahjen e tyre maksimale kundrejt Maganit. Sakaq, është folur edhe për merkaton. Teksa trajneri ka hedhur idetë e veta sa u përket afrimeve dhe pozicioneve që ekipi i tij ka nevojë për ndërhyrje imediate. Emra deri më tani janë lakuar boll, por ende nuk ka ndonjë zyrtarizim. Në ditët në vijim pritet që Magani të ketë një takim me të dy donatorët dhe me administratorin Alimehmeti, që të flasë më konkretisht për planet e merkatos, por edhe që lojtarëve t’u jepet një rrogë para fundvitit.

Devi Muka pritet si drejtor teknik
Devi Muka pritet që të marrë detyrën e drejtorit teknik te Tirana. Emri i tij është lakuar shpesh herë për këtë pozicion, madje edhe publikisht prej ishpresidentit të Tiranës, aktualisht në rolin e donatorit, Refik Halili. Njihen marrëdhëniet e mira mes tij dhe ish-kapitenin legjendar, pavarësisht se ky i fundit është mënjanuar disi nga jeta futbollistike. Madje, Muka që prej momentit kur vari këpucët në gozhdë, nuk është afruar më te Tirana, përveç ndonjë interviste të dhënë në media. Por tanimë ish-kapiteni pritet të rikthehet dhe të marrë një rol drejtuesi te 24 herë kampionët, dhe pikërisht atë të drejtorit teknik. Pozicion ky që ka mbetur vakant prej muajsh.

Nis stërvitja, kjo periudhë për prova
Tirana ka nisur dje përgatitjet, pas së dielës dhe së hënës pushim. Ekipi ka zbritur në fushë në orën 14:00 dhe ka vijuar me programin për ditët e mbetura të vitit. Ka qenë një seancë mbi 90 minuta, ku futbollistët kanë marrë ngarkesat e duhura. Në fakt, trajneri e nisi punën me një minianalizë, gjatë së cilës foli për të ardhmen dhe atë që pritet, por nuk ka nguruar që të paralajmërojë se do të ketë edhe largime. Dje u vu re dhe prezenca e dy të rinjve, të cilët u provuan. Mendohet se kështu do të vazhdojë deri të premten, kur të merren pushimet e fundvitit, për ta rifilluar punën më 6 janar. Me kthimin e ekipit, mendohet se do të jetë qartësuar diçka edhe për kontingjentin e ri, pra mund të jetë zbuluar ndonjë emër. Pas disa ditëve stërvitje në kryeqytet, klubi do nisë të mendojë edhe për fazën përgatitore. Nuk është përcaktuar ende nëse Tirana do të shkojë jashtë, apo do të qëndrojë këtu. Sidoqoftë, gjithçka do të jetë më e qartë në vazhdim.
ADELA MERKO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"