Magani shkund ekipin në analizë: Po e bëni si puna e “lopës”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 6, 2019 | 15:32

Magani shkund ekipin në analizë: Po e bëni si puna e “lopës”

Java për kavajasit ka filluar me një analizë. Gugash Magani ka “shkundur” grupin pas barazimit me Apoloninë. Gazeta është munduar që të zbardhë fjalimin e trajnerit, i cili ndër të tjera ka thënë:

gugash magani

“E patë se si na kishte etiketuar “Panorama Sport”, ‘Nënë Tereza’. Ka plotësisht të drejtë, a e dini pse? Sepse Nënë Tereza kujtohet nga i gjithë globi për zemrën e saj, kontributin, dhuratat, ndërsa juve ju ironizojnë pikërisht që bëni këto të fundit. Konkretisht, fillojmë nga Orikumi kur pësuat golin e parë, “dhuratë” vërtet skandaloze, barazimi e akoma më keq humbja. Nuk e kuptoj dot se si me të njëjtën ‘muzikë’ vepruat me Lushnjën, Ilirinë e së fundmi Apoloninë”.

“Sinqerisht nuk e di çfarë emri t’i vendos kësaj. Më gjeni një ekip si Besa, duke përjashtuar Shënkollin, që ka shënuar gjithmonë i pari në çdo takim. Kjo nuk është rastësi, por tregon realisht mundësitë dhe forcën tuaj. Pastaj e bëni si puna e ‘lopës’. E them hapur se loja juaj ka qenë mjaft e mirë në çdo takim, mbi nivelin e çdo kundërshtari. Jua them me bindje se mund të mundni çdo ekip dhe e keni bërë, por vetëm në një pjesë loje dhe kjo nuk mjafton. Shihni barazimin e fundit me Apoloninë. Shënuam të parët si gjithmonë me Carën, më pas Çelhaka dhe Onuh dolën të vetëm me portierin fierak e nuk dyfishuan dot. Do flisnim ndryshe sot nëse Çelhaka dhe Onuh thjesht do bënin detyrën. E kuptoni se çfarë potenciali e force keni? Unë kam besim të plotë te ju dhe pres që ‘dhuratave’ t’u jepet fund. Nuk kemi më luksin të vijojmë kështu. Jemi më afër fundit se sa kreut. Duhet e mund të reagojmë ndryshe”.

Feriz Ferizaj

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"