Magani pret triumfin e radhës ndaj Pogradecit, Abazaj: Nuk na tremb Egnatia

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 27, 2021 | 11:37

Magani pret triumfin e radhës ndaj Pogradecit, Abazaj: Nuk na tremb Egnatia

Egnatia do të kërkojë sot në orën 13:30 në Peqin tri pikët e radhës ndaj Pogradecit. Për “Panorama Sport” trajneri Gugash Magani u shpreh besimplotë për një tjetër fitore, ndërkohë që e vlerëson maksimalisht Pogradecin.

Magani

“Pas një jave intensive u dhamë fund seancave anti- Pogradeci. Së bashku me stafin, vendosëm në zbatim një program rigoroz e gjithëpërfshirës. Kam besim te çdo futbollist. Këtë e kam deklaruar gjithmonë. Duke qenë të bashkuar, do të kalojmë me sukses çdo kundërshtar që na vendos përballë kalendari. Kurdoherë përgatitemi me efikasitet për t’i respektuar fillimisht rivalët, e më pas të arrijmë maksimumin. Çdo 90 minutësh ka rëndësinë e vet. Ne duhet të jemi me këmbë në tokë, pasi kemi ardhur deri këtu me meritë. Kemi stofin për të qenë konkurrues.

Të qenit kryesues mbetet detyrim për të dhënë më të mirën në çdo fushë. Fitorja me Lushnjën, tashmë është arkivuar. Nuk kam dashur të flas, por askush nuk duhet të hedhë fjalë mbi punën tonë të deritanishme. Klubi ka një projekt, që është ngjitja në elitë dhe për këtë ndjehem i kënaqur. Egnatia ka rival vetëm veten e askënd tjetër. Mund të ketë klube rivale, që vetëm duhet t’i respektoj dhe asgjë më shumë. Pogradecin e vlerësojmë shumë, pasi 90 ! të përbërjes e ka me vendës dhe bën lojë të bukur. Fazën e parë e fituam dhe ngjitëm shkallët. Grupi është i plotë dhe kam besim se tri pikët nuk do të vihen aspak në diskutim”, deklaroi trajneri i skuadrës rrogozhinase. ALDO BUZI

Abazaj222

POGRADECI– Liqenorët kanë dalë hapur me një objektiv madhor që e shohin më se të realizueshëm. Pogradecarët kanë qëndruar disi në hije derisa arritën te fitorja me Besën e Kavajës, por janë plot besim te forca dhe përbërja e ekipit. Për trajnerin Ardian Abazaj, ekipi që ai drejton, shumë shpejt do të pozicionohet në vendin e dytë në klasifikim. “Fitorja me Besën ishte më shumë se e pritshme. Ne jemi një ekip me kualitete dhe kemi treguar se i japim tonin Kategorisë së Parë. Ndaj kavajasve ka qenë një nga ndeshjet tona më të mira dhe i kishim të gjitha mundësitë të shënonim edhe më shumë”, ka thënë fillimisht Abazaj për “Panorama Sport”, teksa më pas u ndal te sfida e sotme ndaj Egnatias. “Është një ndeshje delikate, por që ne do të kërkojmë fitoren. Nuk ka pse të na bëjë përshtypje se cili ekip kryeson apo pretendon. Ne jemi në garë dhe do të luftojmë për të dalë të parët. Kundërshtari është nën presion, ndërsa ne jemi të qetë dhe më të sigurt se kurrë. Presioni do të bëjë diferencën”, përfundoi trajneri i Pogradecit.

ROMEO XINXIFI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"