Magani pret afrimet e fundit te Besa: Duhet të nxitojmë, e di që Bizhdili po bisedon me…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 26, 2022 | 22:15

Magani pret afrimet e fundit te Besa: Duhet të nxitojmë, e di që Bizhdili po bisedon me…

Gugash Magani pret afrimet. Trajneri kërkon që një orë e më parë të kompozojë grupin, pasi ende nuk e sheh aty ku duhet. Edhe pse është herët për të dalë në konkluzione, ai do që skuadra e tij të jetë një hap para të tjerave. Gjatë një deklarate të dhënë enkas për “Panorama Sport”, peqinasi u ndal te miqësorja me Erzenin. Përtej humbjes minimale, ka parë edhe gjëra pozitive dhe kryesisht në 45 minutat e para.

bizhdili magani

“Nisur nga momenti që ekipi është nën ngarkesa fizike, jam i kënaqur në tërësi nga paraqitja, sidomos në pjesën e parë të miqësores. Përballë patëm futbollistë që kanë luajtur në Superiore. Sa u takon lojtarëve tanë, shumica prej tyre luajnë për herë të parë bashkë dhe grupi nuk ka asgjë të përbashkët me Besën e sezonit të kaluar.

Ndaj është më se normale që të kërkohet kohë për të njohur njëri-tjetrin dhe harmonizuar grupin. Pavarësisht të gjithave, nëse marrim parasysh objektivin, atëherë mund t’ju them se ende nuk kam atë grup cilësor lojtarësh që dua dhe pres”, tha fillimisht tekniku. Presidenti pati paralajmëruar se deri në fund të korrikut do të plotësojë grupin e kavajasve. Në fakt, kemi hyrë në javën e fundit të këtij muaji dhe, edhe pse vijojnë bisedimet me disa futbollistë, akoma ata nuk kanë dalë në stërvitje. Kështu që, Magani mbetet në pritje të prurjeve të reja.

“E di se Bizhdili po bisedon me disa futbollistë dhe po i pres ata dita-ditës. Kemi biseduar dhe i kam kërkuar të nxitojë për të përmbyllur merkaton për të nisur më pas konstituimin e grupit. Kemi bërë afrime cilësore deri tani dhe pres që të tilla të jenë edhe të tjerat. Na pret një kampionat i vështirë si kurrë më parë, prandaj duhet të nxitojmë”, e mbylli Magani. Besa ka planifikuar të tjera miqësore dhe të gjithë janë të bindur se ekipi do të riformatohet shpejt dhe do të jetë ndër pretendentët kryesorë për t’u rikthyer në Superiore.

FERIZ FERIZAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"