Magani paralajmëron: Na shihni pas dy javësh, Bangal nuk kupton shqip

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 1, 2017 | 18:04

Magani paralajmëron: Na shihni pas dy javësh, Bangal nuk kupton shqip

Trajneri i Teutës. Gugash Magani, ka bindjen se skuadra e tij ka shanse reale për të kaluar në turin tjetër të Kupës së Shqipërisë, edhe pse u mund në ndeshjen e parë në Shkodër. “në fjalët e tij për “Gol pas Goli”, ai e cilësoi një episod golin që i ndëshkoi, ku faj kishte edhe fakti që sulmuesi Bangal nuk dinte shqip dhe nuk kishte kuptuar që duhej të mbulonte kundërshtarin.

magani

Për ndeshjen

“Kupa ka të veçantat e veta dhe janë në lojë 180 minuta. Ka avantazhin dhe disavantazhin se nëse pëson gol në ndeshjen e parë, bëhet shumë e vështirë. Ishim përgatitur për një hap të sigurt sot. Nuk ndodhi, pasi përveç rastit të golit, skuadra pësoi luhatje vetëm 10 minuta pasi pësuam. Pjesa tjetër e ndeshjes ishte perfekte, nëse ekipi vazhdon me këtë ritëm ka optimizëm. Sot duhej të kishim shënuar, duhet të jemi më vendimtarë në momentin e duhur. Mendoj që kjo ndeshje, bashkë me tjetrën, është e hapur dhe normalisht që jemi shumë të përqendruar te ndeshja e kthimit se e kemi objektiv edhe Kupën, ndonëse rezultati është i vështirë”.

Për shanset e kualifikimit

“Për specifikën që ka Kupa, ka kohë dy javë dhe ajo që mund të them është se skuadra në ndeshjen tjetër do të jetë shumë herë më e vendosur për të fituar ndeshjen dhe për t’u kualifikuar. Çdo gjë ndikon, se ne kemi presionin e pikëve në kampionat. Sot krijuam një farë rotacioni, nuk u futën nga minuta e parë lojtarë që normalisht kanë qenë titullarë dhe kanë pasur problem. Pas dy javësh Progni dhe të tjerë që kanë ardhur së fundmi, do të jenë në gjendje më të mirë fizike dhe do të kemi luksin që të bëjmë edhe ndryshime për të fituar ndeshjen. Çdo gjë është e hapur, nuk e them se jam i sigurt për kualifikimin, se do të ishte gabim. Por njëkohësisht nuk mund të them do dorëzohemi”.

Për episodin e golit

“I fola Bangalit nuk ai më kuptoi, nuk e kupton gjuhën tonë. I fola që të shkonte te qendra dhe të sulmonte kundërshtarin. Po futbolli është sport situatash dhe do gabojë ndonjëri, ndodh që të ndëshkohesh, kështu është futbolli. Por Bangal mendoj që e kreu mirë detyrën në sulm, finalizimi është më i vështirë se mbrojtja dhe kemi shumë punë për të bërë për t’u përmirësuar”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"