Magani, optimist: Na jepni pak kohë, mesazhi që mora në kupë më bën …

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 4, 2019 | 15:23

Magani, optimist: Na jepni pak kohë, mesazhi që mora në kupë më bën …

Kavajasit kanë kryer punë në Kupë, duke e mundur dy herë Egnatian, 0-1 në Rrogozhinë dhe 2-0 në Kavajë. Nga dje kanë nisur përgatitjet për ndeshjen e kampionatit me Turbinën, ku duhet të kthehet patjetër te fitorja. Trajneri Gugash Magani, para nisjes së seancës së djeshme stërvitore, i është drejtuar ekipit me disa fjalë sa i takon kualifikimit në Kupë.

gugash magani

“Ju keni veshur një fanellë të rëndë dhe nuk dyshoja për kualifikimin. Ajo që prisja dhe që mbeta i kënaqur është loja, jo kualifikimi. Në konceptin tim si trajner, nuk ekziston mentaliteti i kthimit prapa të ekipit dhe në Kupë luajtët siç unë dua. Në bllok, në sulm dhe po ashtu në detyrat mbrojtëse. Sigurisht, kam ndonjë rezervë të vogël, por mesazhi që mora, më bën optimist”, tha Magani para grupit të futbollistëve.

TURBINA

Më pas, trajneri peqinas është ndalur te sfida e nesërme ndaj cërrikasve. Ai e bëri të qartë se pret vetëm fitoren jo thjesht si rezultat teknik, por edhe me lojë bindëse. “Dua të kujtoj se vjet Turbina na e bëri të vështirë në Kavajë, por më shumë ia bëmë vetes. Dua t’u them se çdo kundërshtar përfiton, nëse nuk bën lojën tënde e nuk jep maksimumin. Mesazhi që mora në kupë më bën besimplotë për kthimin te fitorja. Po e them hapur se pres fitore, por mbi të gjitha me lojë të mirë. I keni të gjitha mundësitë, kualitetin dhe dëshirën për ta bërë këtë. Zhvilluat një pjesë të parë mjaft pozitive në Lushnjë, që tregoi mundësitë reale që kemi”, shton Magani.

Besa

 

EKIP I RI 

Trajneri Gugash Magani tregohet shumë i sinqertë, kur deklaron se kurrë në karrierë nuk ka drejtuar një ekip me futbollistë kaq të rij dhe për më tepër me një grup të tillë të synojë Superioren.

“E nisim nga porta, ku Ilir Dobjani është 19 vjeç, pastaj qendërmbrojtësi Shimaj 18 vjeç, Shaqe, mbrojtës i majtë, 20 vjeç, Kaçbufi qendërmbrojtës 18 vjeç. Për të kaluar në mesfushë, ku Hoxha është 19 vjeç, Ndraxhi 20 vjeç, Deliu 19 vjeç, Meçja 18 vjeç e në sulm Cara 18 vjeç. Shikoni moshën mesatare, duke përjashtuar Perjen, Xhafën, Zefin, Çelhakën, Beqirin dhe Onuh. Është një Besë shumë e re në moshë. Personalisht kam bindjen se ky grup, këta djem, jo vetëm kanë perspektivë, por deri në janar do të jenë shumë më ndryshe dhe nuk do ta besoni se çfarë do të bëjnë. Prisni, që të bindeni se me këtë grup synojmë Superioren. Mos shikoni ndeshjet e para, por javë pas jave, kur rritja jonë në lojë dhe rezultate do të jetë evidente”, ka përfunduar trajneri i kavajasve, Magani.

FERIZ FERIZAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"