Magani nuk do më blofe, zbardhet biseda me lojtarët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 12, 2017 | 11:29

Magani nuk do më blofe, zbardhet biseda me lojtarët

Të shtunën, Teuta ka zhvilluar vetëm një seancë përgatitore me trajnerin Gugash Magani, i cili vendosi që e diela të jetë ditë pushimi. Në seancën e paradites ishte i gjithë grupi i futbollistëve, me përjashtim të mesfushorit Ardit Hila, që kishte marrë leje nga drejtuesit. Seanca u karakterizua nga ushtrime force në fillim dhe pastaj trajneri peqinas ka aplikuar disa skema të reja.

Teuta

Pushimi i kampionatit ka ndikuar pozitivisht te durrsakët, pasi stafi teknik ka pasur kohën e mjaftueshme për të përgatitur ndeshjen e radhës. Ndalesa e kampionatit ka bërë që “djemtë e detit” të jenë më të qetë dhe larg presionit të rezultatit. Ndeshja e radhës me Luftëtarin po përgatitet në qetësi dhe të gjithë janë të bindur për rezultat pozitiv.

Pas fitores së regjistruar në fazën e parë, durrsakët janë të bindur se edhe në sfidën e dytë do të fitojnë, edhe pse këtë herë gjirokastritët kanë ndryshime, duke filluar që nga trajneri. Magani në seancat stërvitore ka kërkuar nga të tijtë përqendrim dhe efikasitet në sulm, teksa u ka kujtuar se suksesi mund të vijë vetëm duke luajtur si grup i bashkuar dhe duke sakrifikuar për njërin-tjetrin.

“Sukseset më të mëdha asnjëherë nuk arrihen duke qenë individualist, por duke u sakrifikuar për ekipin. Nuk ka rëndësi pozicioni në fushë, por shpirti i skuadrës. Kur shoku është në vështirësi, duhet ta ndihmoni. Pra, kur sulmojmë, dalim të gjithë në sulm dhe kur jemi në vështirësi, mbrojmë të gjithë”, mësohet t’u ketë thënë trajneri lojtarëve, gjatë seancës stërvitore të ditës së djeshme.

DRILON XHEPOLLARI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"