Magani mban përgjegjësitë e përmbysjes, trajneri Gjyla: Lushnja ishte shumë më lart se Besa

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 29, 2019 | 9:37

Magani mban përgjegjësitë e përmbysjes, trajneri Gjyla: Lushnja ishte shumë më lart se Besa

GJYLA – Trajneri i Lushnjës, Ilir Gjyla, tha pas ndeshjes së fituar me kavajasit, se skuadra e tij ishte më lart se Besa.

lushnja

“Nuk ishim në vështirësi, absolutisht. Vështirësi nuk kishim, veç dy momenteve, ku pësuam dy golat. Penalltia e Besës? Nga pozicioni që jam unë, m’u duk se nuk ishte. Kemi edhe një neglizhencë të mbrojtjes në pësimin e golit të dytë. Mendoj që e gjithë loja ka folur për ne. Si në territor, si në lëvizje të topit, si në pasim, në qarkullim dhe në mbajtje të topit. Pra, kemi qenë 100% më lart se kundërshtari dhe nuk kishte si të ndodhte ndryshe”, tha fillimisht trajneri Gjyla, duke komentuar më pas edhe spektaklin e pjesës së dytë. “Kjo është ajo që rregulluam te djemtë në pjesën e dytë. Ngritëm volumin e lojës, sepse pak qetë e filluam ndeshjen. E qarkulluam topin më shpejt, duke parë edhe lodhjen e ekipit të Besës. Kjo bëri që të shkonim te fitorja”, tha trajneri Gjyla për “Panorama Sport”.

MAGANI – Trajneri i Besës, Gugash Magani, tha për “Panorama Sport” se të tijtë duhej të kishin marrë të paktën një pikë në “Roza Haxhiu”.

“Ka ndodhur edhe me skuadra të mëdha, që ndeshja shkon nga 0-2 në 3-2. Është mungesë menaxhimi, ku edhe unë kam përgjegjësitë e mia. Mendoj kështu, sepse edhe zëvendësimet nuk e justifikuan besimin tim. Pa mohuar meritat e Lushnjës, jemi ndëshkuar në tri momente nga goditjet standarde dhe pikërisht nga këndoret. Kishim punuar gjatë gjithë javës, sepse e dinim që Lushnja e ka pikë të forta lojën e ajrit. Po të ishim treguar pak më menaxhues në pjesën e dytë, të paktën një pikë do ta kishim marrë. Bëmë një pjesë të parë perfekte, por në pjesën e dytë mbrojtja ka qëndruar shumë prapa dhe kjo nuk ishte edhe porosia jonë. Skuadra u zgjat dhe u ndëshkua me goditjet standarde”, tha trajneri Magani.

CANKA – Dy gola dhe një shtyllë. Një tjetër ndeshje perfekte e Mikel Cankës, i cili shënon në ndeshjen e tretë radhazi, duke shkuar në 5 gola për 270 minuta.

“Një fillim shumë i mbarë për ekipin e Lushnjës. Nuk është e lehtë ta nisësh kampionatin me tri fitore radhazi. Lushnja ka nisur të bëjë mirë dhe shpresojmë të bëjmë një punë edhe më të mirë. Punojmë shumë dhe trajneri kërkon shumë gjëra nga ne. Sot (dje) e nisëm pak keq dhe situata na iku pak nga duart në minutat e para. Pësuam dy gola, por bëmë një pjesë të dytë të madhe, të jashtëzakonshme dhe përmbysëm. Këtu në Lushnjë do t’i fitojmë të gjitha ndeshjet. Edhe jashtë vështirë se mund të mundemi. Golat ia dedikoj publikut fantastik të Lushnjës, familjes verdhejeshile dhe nipit tim, Arvi, i cili mbush 8 vjeç”, tha Canka i entuziazmuar pas ndeshjes.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"