Magani ka rezerva: Penalltia ‘fantazmë’ vendosi rezultatin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 7, 2016 | 21:43

Magani ka rezerva: Penalltia ‘fantazmë’ vendosi rezultatin

Trajneri i Flamurtarit, Gugash Magani, ka shprehur rezerva për penalltinë që i dha Skënderbeut fitoren 2-1 sot në javën e parë të Superligës.

Skenderbeu-Flamurtari

Në një intervistë për “SuperSport”-in pas ndeshjes, tekniku vlonjat u shpreh se 11-metërshi i shndërruar në gol nga Salihi është nga ato raste që shumë rrallë ndëshkohen në futboll.

“Nuk dua të bëj polemikë për vendimin e gjyqtarit, por dua të them që prekja e topit me dorë nga Lukiç ishte një çast dyluftimi. Pas goditjes me kokë nga lojtari i Skënderbeut, distanca ishte e afërt dhe topi po shkonte drejt portierit, pa rrezikuar portën. Një ekspert e gjykon më mirë, por nuk do një inteligjencë të madhe për ta kuptuar që momenti i prekjes me dorë ishte në dyluftim dhe Lukiç ndodhej shumë pranë”, deklaroi Magani.

Sipas tij, rezultati nuk është pasqyrë e asaj çka skuadrat dhanë në fushën e lojës: “Penalltia vulosi rezultatin. Me pak kujdes mund të kishim marrë një pikë sot. Rezultati nuk ishte rrjedhë logjike e lojës. Në pjesën e parë u vumë në vështirësi, kurse në të dytën reaguam dhe mund edhe ta kishim fituar ndeshjen”.

Gjithsesi, trajneri i kuqezinjve nuk e bën dramë dhe sheh përpara: “Nuk është fundi i botës të mundesh nga Skënderbeu. Jemi një skuadër e bërë nga fillimi dhe tifozët duhet të kenë durim. Lojtarët duhet të ambientohen me njëri-tjetrin. Do të kemi plot ndeshje për të treguar fytyrën tonë të vërtetë”.

I pyetur rreth problemeve të mundshme me financat, tekniku peqinas hodhi poshtë zërat për mosmarrëveshje midis lojtarëve dhe presidentit Sinan Idrizi. “Kjo është një çështje e mbyllur. Janë gjëra që zgjidhen; kemi folur me presidentin dhe lojtarët dhe gjithçka është në rregull”, tha Magani.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"