Magani: Jam goditur dhe ofenduar nga tifozët gjirokastritë, por kam respekt për ta

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 15, 2017 | 21:07

Magani: Jam goditur dhe ofenduar nga tifozët gjirokastritë, por kam respekt për ta

Trajneri i Teutës, Gugash Magani, ka deklaruar se është goditur nga tifozët gjirokastritë në fund të ndeshjes. Në deklaratën e dhënë për “Gol pas Goli”, ai gjithsesi shprehet se vazhdon të ketë respekt për atë tifozëri dhe u bëri thirrje për të mos dalë nga korniza e fair-playt. Sa i përket ndeshjes, Magani tha se barazimi ishte i merituar nga skuadra e tij.

magani1

Për ndeshjen dhe gjykimin

“Ndeshja sot i kishte të tre rezultatet, pavarësisht se ne barazuam vetëm në fund. Në përgjithësi bëmë një ndeshje të mirë. Specialistët mund ta shohin më mirë, por nëse ajo është penallti unë tërhiqem, nëse jo atëherë gjyqtari ka gabuar. Goli i parë i yni, ai i anuluari, mendoj që ishte gol dhe po të bashkosh dhe golin e fundit që shënuam, atëherë gjyqtari them se nuk ka ndikuar në rezultat. Them gjithmonë nëse sepse unë jam objektiv, edhe pse jemi në një moment shumë kritik.”

Për pikën e marrë

“Kjo është një pikë e vlefshme dhe e merituam. Bëmë një ndeshje në përgjithësi mesatare, gjatë gjithë kohës kishim presion, kërkuam nga lojtarët që të menaxhonin trysninë. Te penalltia lojtari jonë duhet të ishte më i kujdesshëm sepse është fraksion sekonde nëse gjytari e akordon apo jo.”

Për garën e mbijetesës

“Mbetet për t’u parë, kemi dy ndeshje shumë të forta me Vllazninë dhe Laçin. Futbolli është i paparashikueshëm dhe s’mund të jap mendime të nxituara. Këtë do ta tregojë fusha, por sot ne kishim raste më të pastra se Gjirokastra. Edhe kur u mundëm në Durrës unë thashë që kemi marre një humbje të merituar, ndërsa sot morëm pikë të merituar.

Për tifozët gjirokastritë

“Për tifozërinë gjirokastrite kam respekt, por nuk më rezultoi kështu sot sepse janë marrë me mua gjatë gjithë kohës. Në fund më goditen dhe më ofenduan, por i mirëkuptoj sepse është pjesë e lojës, prapë kam respekt për ta, por nuk ishte e nevojshme. Gjatë gjithë kohës ne transmetojmë fair-play në Durrës sepse nuk duhet të kthejmë tensionin në stadiumet tona.”

Për vlerën e barazimit edhe pse vazhdon rreziku i rënies

“Ne luanim për dy rezultate, edhe pse jemi të rrezikuar. Na duhej një pikë që të mos vareshim te të tjerët. Tani nëse rrezikojmë, do të jetë vetëm prej vetes sonë pasi kemi çdo gjë në këmbët tona.”

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"