Magani “arkivon” tensionin: Kemi nevojë urgjente për pikë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 1, 2017 | 14:16

Magani “arkivon” tensionin: Kemi nevojë urgjente për pikë

Pas furtunës te “Djemtë e Detit” rikthehet qetësia, të paktën këtë reflektoi ekipi, por edhe stafi teknik dje. Gjatë stërvitjes së pasdites, në kuadër të përballjes me Laçin që do të zhvillohet të shtunën në orën 17:00 në “Niko Dovana”, te Teuta situata dukej ndryshe.

Teuta

Seanca e së martës u drejtua nga vetë Gugash Magani, i cili të hënën preferoi ta ndiqte ekipin vetëm nga pankina. Fillimisht tekniku peqinas i mblodhi të gjithë futbollistët në formë rrethi dhe kërkoi nga ata të kenë besim te vetja, pasi kanë potencial të madh që duhet ta shprehin në fushë.

“Unë kam besim tek të gjithë ju dhe e njoh shumë mirë potencialin tuaj. Të hedhim pas krahëve atë që ka ndodhur dhe të fokusohemi te ndeshja e radhës ndaj Laçit. Është një ndeshje shumë e rëndësishme për ne. Ky takim mbyll fazën e parën dhe kërkoj nga ju impenjim maksimal që të kthehemi te fitorja, pasi nevoja për pikë është urgjente.

Teuta

Kam besim se, nëse të gjithë japim maksimumin, do të marrim maksimumin. Por impenjimi dhe serioziteti fillon që në stërvitje, dua përkushtim maksimal nga ana juaj. Tani fillojmë stërvitjen”, mësohet t’u ketë thënë Magani lojtarëve. Sakaq, seanca e djeshme u përqendrua tek ushtrimet e forcës, por edhe te lojërat me top, ku lojtarët treguan një nivel të kënaqshëm.

Teuta

Sulmuesi i krahut i ardhur me formulën e huazimit, Reza Karimi, me impenjimin e tij në stërvitje, gjithnjë e më shumë po tërheq vëmendjen e stafit teknik.

Nëse vazhdon me këtë ritëm, tekniku peqinas pritet ta përfshijë në 18-she që në ndeshjen ndaj Laçit. Gjithashtu në ndeshjen e radhës pritet të ketë minuta edhe për ata lojtarë që, deri tani, nuk kanë gjetur shumë hapësirë në formacion.

Drilon Xhepollari

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"