Magani: Arbitri gaboi me kartonin e Prognit, rotacioni në portë i pashmangshëm

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 19, 2017 | 19:46

Magani: Arbitri gaboi me kartonin e Prognit, rotacioni në portë i pashmangshëm

Trajneri i Teutës, Gugash Magani, në deklaratën e dhënë pas ndeshjes për “Gol pas Goli”, u shpreh i kënaqur me pikën e marrë në Shkodër ndaj një skuadre që ai e cilësoi ndër më të mirat e Superiores. Magani e cilësoi të gabuar kartonin e parë të verdhë për Prognin, ndërkohë që e quajti të pashmangshëm rotacionin në portë mes Moçkës dhe Kastratit.

magani

Për ndeshjen

“Faktikisht ka qenë një javë shumë e vështirë për në sepse vinim pas një humbje shokuese por të merituar ndaj Luftëtarit. Kishim shumë punë sa i përket pjesës psikologjike. U futëm në fushë për të bërë më të mirën, por e filluam ndeshjen si inferiorë, ishim më fat që nuk pësuam nga penalltia dhe bëmë një pjesë të parë jo të mirë. Pjesa e dytë ishte një performancë shumë e mirë, aq më tepër kur mbetëm me 10 lojtarë. Skuadra tregoi karakter deri në fund dhe është një pikë e merituar për ne.”

Për kartonin e kuq të Prognit

“Kartoni i parë i verdhë për Prognin ishte i gabuar, ndërsa i dyti edhe mund të jepej i verdhë për simulim. Është diçka që i takon gjyqtarit të vendosë. Megjithatë unë jam i kënaqur me një pikë ndaj një prej skuadrave më të mira të Superiores, edhe pse nuk është shumë lart në klasifikim.”

Për mënyrën e lojës së praktikuar

“Unë e pata vendosur skuadrën në mënyrë ofensive duke pasur parasysh që linja e fundit e kundërshtarit është 40 metra larg me portierin dhe do ta kapnim kundërshtarin në befasi kur të gabonte. Kjo u vu re në pjesën e parë në disa raste dhe në të dytën gjithashtu. Megjithatë nuk mund të luash shumë mirë ndaj një kundërshtari që vjen pas një fitoreje ndërkohë që ne vinim pas një humbjeje.”

Për ndryshimet në formacion

“Mungonte Hila dhe normalisht është ai që luan para mbrojtjes. Vendosëm në këtë pozicion Sykajn që ka eksperiencë dhe unë jam i kënaqur me performancën e tij edhe pse ishte ndeshja e parë. Ndërkohë sa i përket portës, unë e bëj vetë rotacionin mes Moçkës dhe Kastratit pasi të dy kanë bërë paraqitje të mira. Njëri ka eksperiencë, ndërsa tjetri është 20-vjeçar dhe pjesë e kombëtares, ndaj rotacioni është i pashmangshëm mes tyre.”

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"