“Madrilenët do pësojnë gol me siguri”, Runi: Siti-Real do jetë si macja me miun, por unë vë bast për…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 3, 2020 | 19:46

“Madrilenët do pësojnë gol me siguri”, Runi: Siti-Real do jetë si macja me miun, por unë vë bast për…

Mançester Siti po dështon të ruajë portën e paprekur ndaj ekipeve më të mira dhe qendërmbrojtësit e tyre do të jenë sërish të kërcënuar në ndeshjen e së premtes kundër Realit në Champions, paralajmëron ish-kapiteni i Mançester Junajtidit dhe kombëtares angleze, Uejn Runi.

Runi

“Qytetarët” kanë fituar 2-1 në “Bernabeu” ndeshjen e vajtjes së 1/8-ave, përpara se sezoni të ndërpritej prej Koronavirusit. Runi, i cili e ka fituar Champions-in me rivalët e Junajtidit në 2008-ën, thotë se ky është viti që Siti ka shansin më të mirë për të ngritur trofeun për herë të parë në histori. “Siti mund të mos ketë shans më të mirë për ta fituar trofeun, – shkruante sulmuesi i Derbi Kauntit në “Sunday Times”.

– Serxho Ramos është i pezulluar dhe ai është një mungesë e madhe për Realin në mbrojtje dhe mendoj se Siti do të shënojë. Reali do të shënjestrojë qendërmbrojtësit e Sitit dhe është një problem se këtë sezon, ashtu si në sezonet e tjera të Premier Ligës, gjashtë ekipet kryesore të Anglisë e kanë mundur Sitin. Kjo tregon se skuadra e Guardiolës vuan për t’i mbajtur kundërshtarët më të fortë larg portës së vetë”.

real madrid siti

Runi pret që spanjollët t’i lejojnë Sitit që të dominojë zotërimin e topit, për t’i goditur ata më pas në kundërsulm: “E kam parë Zidanin ta bëjë këtë në aventurën e tij të parë si trajner i Realit kur luajti kundër ekipeve të stilit të Guardiolës në ndeshjet e mëdha dhe kjo i rezultoi e suksesshme. Por, unë vë sërish bast për Sitin. Ata nuk duhet ta kërkojnë golin. Nuk janë të detyruar të shënojnë. Mund të humbasin edhe 1-0 dhe sërish të kualifikohen dhe në ndeshjen e parë ata e surprizuan Realin, duke qëndruar në mbrojtje. Ishte hera e parë që e pashë Guardiolën të luante në atë mënyrë dhe kam përshtypjen që do të bëjë të njëjtën gjë në ‘Etihad’. Mund të jetë një ndeshje si macja me miun”.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"