“Macja e zezë” e futbollit shqiptar, si e ndaloi regjimi të luante Qemal Voglin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 21, 2019 | 10:30

“Macja e zezë” e futbollit shqiptar, si e ndaloi regjimi të luante Qemal Voglin

Në vitet ’50-’60, portieri Lev Yashin (Jashin) ishte krenaria e futbollit sovjetik. “Heroi i klasës punëtore” i priste goditjet a thua se kishte tetë duar dhe për faktin se vishej përherë me të zeza, mbiquhej “Merimanga e zezë”.

Qemal-Vogli-Shkrimi-1-copy

Për 20 vite mbrojti portën e Dinamos së Moskës. Në karrierë fitoi shumë trofe, mes të cilëve medalje olimpike dhe Kupë Europe me përfaqësuesen sovjetike. Në historinë botërore të futbollit, Lev Jashin, i shpallur portieri më i mirë i shekullit XX, mbetet ende i pathyer për faktin se është i vetmi portier që është vlerësuar me “Topin e Artë”.

Megjithatë, në ato vite, në Shqipëri ai kishte një moshatar, i cili potencialisht i kishte mundësitë për ta konkurruar, por që fati nuk i rezervoi të njëjtin sukses. Emri i tij ishte Qemal Vogli. Edhe ai vinte “nga klasa punëtore”.

Edhe ai mbrojti portën e Dinamos, por të asaj të Tiranës. Spikati me veshje të zezë në portë dhe prej hedhjeve që bënte mori nofkën “Macja e zezë”.

Me Jashinin u takua në vitin 1954 në Moskë, pas një ndeshjeje miqësore mes dy Dinamove. Sovjetikët kishin dëgjuar për Voglin që prej miqësores së vitit 1951 në Tiranë, (Shqipëri 1–1 Spartak i Moskës), ku Vogli kishte dalluar për daljet dhe hedhjet e përkryera në portë.

qemal vogli ismet bellova dhe mario kempes

Jashin dhe Vogli – asokohe të dy 25-vjeçarë – e vlerësuan me konsiderata njëritjetrin. Me Dinamon, në 6 vite Vogli do të ishte protagonist në fitoren e 5 kupave e 5 kampionateve. Ende të pathyera për futbollin shqiptar janë rekordet: 25 fitore radhazi (sezoni 1951–52) dhe vetëm 5 gola të pësuar gjatë një kampionati.

Por, megjithëse të shumtë ishin krenarë për arritjet e tij sportive, Vogli nuk u bë hero i futbollit komunist shqiptar, përkundrazi. Gjithçka e Voglit u mbyt në harresë, kur më 3 shtator 1956 ai u arratis drejt Perëndimit. Ishte 27 vjeç dhe kishte vetëm 10 vite futboll profesionist.

Rrethanat bënë që, pas një miqësoreje tjetër me Dinamon e Berlinit, ai të kalonte në Berlinin Perëndimor. Ishte koha kur ende nuk ishte ndërtuar muri. Ishte koha kur arratisjet regjimi diktatorial i Hoxhës i dënonte rëndë.

Prej vitit 1956 e deri më sot, historia e Qemal Voglit është treguar mes rrëfimeve dhe pak dokumenteve. Kjo seri shkrimesh do të nisë ta tregojë historinë e një prej sportistëve më të jashtëzakonshëm të futbollit shqiptar, duke iu referuar dosjes që Sigurimi i Shtetit mbajti për të.

Në dosje tregohet se, në të vërtetë, për Voglin Sigurimi kishte grumbulluar informacione që kur ai kishte qenë adoleshent. Pranë tij Sigurimi kishte 10 bashkëpunëtorë të njohur me nofkat: “Çapkëni”, “Goma”, “Jehona”, “Bjeshkore”, “Biblioteka e Pogradecit”, “Topi”, “Stina e Shiut”, “Besuesi” dhe “Lumi”.

Biografia e Voglit paraqitej me një lidhje familjare të angazhuar me Ballin Kombëtar, por megjithatë ai privilegjohej prej dhuntive sportive dhe nuk penalizohej, madje as për kontrabandën që bënte njësoj si disa sportistë të tjerë, të cilët kur dilnin jashtë shtetit, në kthim, edhe pse nuk lejohej, merrnin sende të ndryshme me vete. Sidoqoftë, Sigurimi e vëzhgonte vazhdueshëm Voglin për sinjalizimet e bashkëpunëtorëve rreth tendencave për arratisje që ai shfaqte ndonjëherë.

qemal vogli me sulejman maliqatin

Arratisje që do ta konkretizonte në vitin 1956, por që nuk zgjati shumë. Ai u kthye në Shqipëri me versionin që regjimi propagandoi: kinse u kap falë agjenturës së Sigurimit dhe bashkëpunimit me agjenturat simotra të vendeve të tjera komuniste. Në dosjen e tij janë fshirë të gjitha gjurmët, por ka një korrespondencë të mbajtur me STASI-n, homologen e Sigurimit të Shtetit në Gjermaninë Lindore. Për shkak të popullaritetit që kishte mes njerëzve, portieri i Dinamos u dënua vetëm 15 vite burg, më vonë u amnistua dhe pas 5 vitesh u lirua. Mirëpo, nuk ishte më e njëjta gjë.

qemal vogli ne pritje

Atij iu ndalua të luante futboll, ndërsa dokumentet tregojnë se u mbajt nën vëzhgim të vazhdueshëm të Sigurimit të Shtetit deri në vitin 1991, shpesh duke u cilësuar si agjent i fshehtë. Dënimi më i rëndë që mori, me gjasa, ishte ndarja me të bijën kur ishte ende e vogël dhe ndalimi i të luajturit futboll gjatë gjithë jetës.

Qemal Vogli me shumë mundësi mund të mos fitonte medalje olimpike, Kupë Europe apo “Top të Artë”, por e sigurt është se po të vazhdonte të luante futboll, do të ishte një histori shumë herë më fantastike e futbollit shqiptar, histori që nuk do të harrohej kurrë.

Përgatiti për IDMC: Erblin Vukaj

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"