“Luzin nuk e njoh, besoj te cilësia e ekipit tim”, Flamurtari do titullin, Resuli: Jemi ne kampionët!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 8, 2022 | 10:58

“Luzin nuk e njoh, besoj te cilësia e ekipit tim”, Flamurtari do titullin, Resuli: Jemi ne kampionët!

Flamurtari nuk e diskuton titullin kampion në Kategorinë e Dytë. Jo vetëm se në lojë është premio 10 milionë lekë të vjetër dhe tri paga shtesë të premtuara nga Sinan Idrizi, por ekipi e do këtë trofe për krenari. Në një intervistë për “Panorama Sport”, trajneri Dritan Resuli nuk ka dyshime se do e mposhtin Luzin në finalen e programuar të dielën në orën 15:00 në stadiumin “Selman Stërmasi”.

DRITAN RESULI

Dritan, pas kupës së grupit, tashmë luani finalen me Luzin për trofeun e Kategorisë së Dytë. Sa e njihni kundërshtarin?

E vërteta është që nuk e njohim Luzin, pasi ka qenë pjesë e grupit tjetër. Megjithatë, kjo nuk përbën ndonjë vështirësi, sido që të jetë kundërshtari, edhe pse ne nuk e njohim. Ne e dimë forcën tonë dhe mjaft mirë kualitetet që kemi. Nuk ndiejmë ndonjë diferencë të madhe.

Jeni të bindur te fitorja e trofeut?

Nuk e diskutojmë fare këtë gjë. Jam shumë i bindur që do të jemi ne kampionët e kësaj kategorie. Nuk kam asnjë dyshim për këtë. Kemi eksperiencën e duhur, prandaj nuk kemi asnjë mëdyshje për këtë gjë. Kam lojtarë me shumë eksperiencë në skuadër, por edhe të rinj që kanë bërë mirë, duke dhënë maksimumin e tyre sa herë që janë aktivizuar.

Idrizi ka vendosur 10 milionë lekë të vjetër premio për fitoren…

Presidenti Idrizi na ka qëndruar gjithmonë pranë dhe e falënderojmë, por ne nuk shohim anën materiale. Jemi të fokusuar te fusha dhe tek arritja e objektivit. E kemi ndier gjatë gjithë kampionatit mbështetjen e Idrizit dhe ne si staf, bashkë me lojtarët, kemi bërë një marrëveshje xhentëlmenësh që në fillim. Donim që të arrinim objektivin dhe ia dolëm të ngjiteshim. Tashmë synimi është të kthehemi sa më shpejt në Superiore.

Çfarë kujtoni si pjesën më të vështirë në Kategorinë e Dytë?

Fushat kanë qenë një nga problemet më madhore në këtë kategori. Kemi luajtur në terrene të papërshtatshme.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"