Luzi u ngjit në Kategorinë e Parë, Besa futet në stres për stadiumin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 24, 2022 | 21:50

Luzi u ngjit në Kategorinë e Parë, Besa futet në stres për stadiumin

Është premtuar e stërpremtuar për stadiumin “Besa”, por “pronarë” të fushës aktualisht mbeten… delet. Ishte garantuar fillimi i punimeve nga ish–kryebashkiaku Elvis Rroshi, madje u paraqit edhe një projekt modern në 3D. E megjithatë, rezultati dihet. Në të njëjtën rrugë ishte edhe pasardhësi i tij, Isa Sakja.

luzi

Nuk mund të bënte përjashtim nga premtimet as kryetari aktual i Bashkisë Kavajë, Redjan Krali. Por stadiumi “Besa” vijon të mbetet jashtë çdo funksioni. Presidenti Bizhdili, ish-trajnerët Magani, Kashami, por edhe ai aktual Bubeqi e kanë përsëritur se verdhezinjtë nuk mund të kenë kurrë pretendime, për aq kohë sa nuk kanë ku të luajnë.

Kavajasit nuk lanë fushë pa provuar që nga Peqini, Lushnja, Shijaku dhe Pezë-Helmësi, por më së shumti sfidat u luajtën në Luz. Tani ama, situata ndryshon. Vendësit e Luzit 2008 arritën suksesin e tyre historik, u ngjitën në Kategorinë e Parë dhe për ironi do të jenë bashkudhëtarë të Besës në sezonin e ri. Nëse në Luz janë me të drejtë të ekzaltuar, presidenca dhe stafi i Besës kanë filluar ta ndiejnë dhimbje të rënda koke. E gjitha kjo, për fatin e ndeshjeve të saj që do të duhet t’i luajë në shtëpi. Sigurisht që Luzi 2008, duke qenë në “shtëpinë” e vet, do të ketë prioritetin e stadiumit.

Po Besa? Çfarë do të ndodhë kur kalendari t’u rezervojë paralelisht ndeshje shtëpie të dyja ekipeve, Luzit dhe Besës? Do të luajnë në të njëjtin stadium njëri pas tjetrit? Nëse ndodh kjo, atëherë do të ngihet dyfish zëri i trajnerëve të Besës, se nuk mund të luhet në atë fushë. Ata janë ankuar gjatë dimrit për këtë fakt, por tani që do t’u duhet të luajnë të dyja ekipet? Apo përsëri verdhezinjtë do të “nisin” autobusin e tyre ku të gjejnë fushë të lirë, si çifutët në shkretëtirë.

Më shumë se kurrë ka ardhur momenti që të ngrihet zëri fort ndaj pushtetit lokal, qeverisë dhe FSHF-së, që më në fund të bëjnë realitet premtimin që prej vitesh i bëjnë klubit të Besës dhe tifozërisë verdhezi. Kjo situatë po vret futbollin kavajas, aq sa nga dita në ditë po bie interesi edhe te të rinjtë për të veshur këtë fanellë. Nëse nuk ndërhyhet, atëherë nuk do të ishte çudi që Besa e madhe e historisë së futbollit shqiptar të ketë fatin e Maliqit, Butrintit, Elbasanit dhe ekipeve të tjera, që militojnë në ligat e ulëta.

FERIZ FERIZAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"