Luzi sfidon Teutën, flet trajneri Pashja: I respektojmë për traditën, por nuk u trembemi!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 26, 2022 | 12:02

Luzi sfidon Teutën, flet trajneri Pashja: I respektojmë për traditën, por nuk u trembemi!

Nisje brenda pritshmërive të kampionatit për Luzin 2008, sipas trajnerit peqinas të kësaj skuadre, Lorenc Pashja, që ka krijuar një situatë pozitive tek ekipi periferik i Kavajës që ai drejton.

PASHJA

“Në radhë janë dy sfida me dy emra të mëdhenj të futbollit shqiptar dhe kjo e shton edhe më shumë motivimin e futbollistëve”. Ne po përgatitemi që të tregojmë denjësisht veten në të dyja këto sfida si për Kupën ashtu dhe për kampionatin”, tha dje tekniku posaçërisht për “Panorama Sport”.

Sipas radhës, Pashja i vlerëson kështu të dyja ekipet që do të ketë përballë mesjavën e fundjavën e ardhshme…

NË KUPË ME TEUTËN – Për koincidencë edhe edicionin e kaluar të Kupës, Luzi 2008 pati përballë në turin e parë, Teutën. “Të mos harrojmë një vit më parë ne ishim në Kategorinë e Dytë.

Tani për herë të parë luajmë një kategori më lart dhe kjo do të thotë që te ne si ndryshimet ashtu edhe ambiciet kanë lëvizur ndjeshëm. Ajo që them me bindje është se ne do të përballemi me të gjithë potencialin tonë me durrsakët.

Kujtoj se ndeshja e kthimit në Durrës, e Kupës së vitit që shkoi, ka qenë spektakolare për Luzin.

Barazuam 2-2 në aneksin e “Niko Dovanës”, por mbaj mend që skuadra ka luajtur shkëlqyeshëm.

Në fakt e ndoqa jo si trajner atë ditë Luzin, pasi skuadra drejtohej vjet nga kolegu im, Edmond Dalipi, që pati bërë një punë të mirë”, u shpreh Pashja.

KAMPIONATI – Do të jetë një tjetër sfidë me korçarët. “Ata kanë dy pikë më pak se ne, por e kanë shumë herë më të madhe historinë e traditën.

Do t’i respektojmë, ama e them hapur jo vetëm unë si trajner, por edhe në emër të të gjithë futbollistëve tanë, se ne nuk i trembemi aspak Skënderbeut.

Do të luajmë e do të bëjmë gjithçka në fushën asnjanëse të Shijakut… edhe për t’i sfiduar ata. Futbolli prandaj është i bukur, prej surprizave që sjell vazhdimisht.

Luzi 2008 është një skuadër “pa yje”, por me një grup kompakt. Me këtë dua të sqaroj shumë syresh në tërë opinionin sportiv që ende janë të lëkundur mbi kapacitetet tona ose që vijojnë të na paragjykojë si skuadër “e vogël”.

Në jemi një ekip “i barabartë mes të barabartësh” në këtë sezon që sapo ka nisur në Kategorinë e Parë.

Diferencën me pjesën më të madhe të skuadrave mund ta bëjë vërtetë historia e tyre më e madhe nga ne, por mendoj se në fushë ne duam të japim gjithçka dhe të meritojmë gjithçka me punën e përkushtimin tonë”, mbylli prononcimin e tij Lorenco Pasha, trajneri i skuadrës simpatike, Luzi 2008.

FERIZ FERIZAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"