Lutaj kritikon ashpër FSHF-në: Idrizi nuk i shtrin dorën askujt, futbolli i kapur nga disa njerëz

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 20, 2017 | 17:34

Lutaj kritikon ashpër FSHF-në: Idrizi nuk i shtrin dorën askujt, futbolli i kapur nga disa njerëz

Futbolli në Shqipëri është i kapur nga disa njerëz të papërgjegjshëm që e shfrytëzojnë atë për interesa personale. Të gjithë ata që investojnë në futboll, ta kërkojnë ndryshimin aty dhe jo diku tjetër”. Kjo është deklarata e fortë e ish-trajnerit të Flamurtarit, Edmond Lutaj.

edmond lutaj

Në këtë mënyrë, Lutaj mendon se klubet nuk duhet ta gjejnë fajin te FSHF, por mes tyre. Lutaj vlerë- son administratorin Idrizi që, siç thotë, nuk ka qenë i përfshirë në shit-blerje ndeshjesh. Ish-trajneri vlonjat, gjatë një interviste të dhënë për “Panorama Sport”, tha se Flamurtarin e shikon në katër vendet e para, ndërsa Skënderbeun kampion të padiskutuar.

Lutaj, si e vlerësoni ecurinë e deritanishme të Flamurtarit?

Ecuria e Flamurtarit këtë fillimsezoni më duket e pranueshme. Një rezultat që nuk pritej, mendoj se ishte barazimi në Vlorë me Luftëtarin, por nga ana tjetër edhe fitorja në Durrës ishte një surprizë e këndshme.

Gjatë këtyre javëve të para, Flamurtari ka pasur disa oshilacione. Sipas jush, përse vijnë ato?

Flamurtari ka treguar një ecje stabël, por në nivel mesatar. Për sa u përket pikëve mendoj se Flamurtarit i mungojnë minimalisht edhe 4-5 pikë për të qenë të kënaqur. Tri barazimet, që të mos gabohem, Flamurtari ka qenë në avantazh dhe nuk ka mundur t’i menaxhojë në favorin e tij. Mendoj se këto humbje pikësh i “djegin” Flamurtarit.

Si e vlerësoni çështjen e gjykimit, pasi në ndeshjet e fundit ka pasur kontestime nga vlonjatët?

Nuk i kam pasur mundësitë që t’i ndjek ndeshjet dhe nuk mund të jap një opinion për kontestimet që ka bërë klubi për gjykimin kundër Flamurtarit në këto ndeshje, por nuk më bën përshtypje edhe nëse është kështu. Flamurtari mund të përgojohet në media për problemet e brendshme që ka pasur.

Por Flamurtari këto vite që Idrizi e drejton nuk është marrë me abuzime për tolerime ndeshjesh apo për tentativë blerje ndeshjesh. Kjo gjë më gëzon, sepse është në traditën e Flamurtarit që të mos ia shtrijë dorën asnjë klubi tjetër dhe kjo sjellje sportive i shërben më së miri kampionatit.

Klubi ka vendosur të protestojë të dielën. Si e shikoni këtë protestë?

Për protestën që Flamurtari do të bëjë të dielën ndaj FSHF mendoj se është e drejta e çdo klubi, që mendon se i bëhen padrejtësi të protestojnë. Por ka forume të tjera të rëndësishme që Flamurtari dhe klube të tjera elitare të futbollit shqiptar të mund të bëjnë ndryshime.

Administratori Idrizi ka ashpërsuar gjuhën ndaj FSHFsë. Mendoni se edhe vendimet e gjyqtarëve janë të ndikuara nga ky fakt?

Futbolli në Shqipëri nuk është i drejt dhe “fair-play”. Ai është i kapur nga disa njerëz të papërgjegjshëm që e shfrytëzojnë futbollin për interesa personale ose të disa grupeve të caktuar për interesa të ngushta. Pra, Idrizi dhe të gjithë ata që investojnë në futboll aty, ta kërkojnë ndryshimin aty dhe jo diku tjetër.

Ku e shikoni Flamurtarin këtë sezon?

Mendoj se Flamurtari i sivjetshëm ka mundësitë që të renditet në katër vendet e para.

Cila nga skuadrat mendoni se është pretendente për titullin kampion?

Për sa i përket kampionatit, Skënderbeu nuk ka rival dhe, për mendimin tim, është kampion i padiskutuar, edhe pse ka shumë ndeshje për t’u luajtur.

ERMAL SIKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"